MENU
klinika

Vendimi i Dodik do të ndezë luftën në Ballkan

Pse rezoluta për Srebenicën do të hapë “Kutinë e Pandorës”?

29.04.2024 - 11:09

Një propozim-rezolutë e Kombeve të Bashkuara që do ta njihte masakrën e Srebrenicës si gjenocid, ka shkaktuar reagime të forta në Serbi dhe në Republikën Srpska të Bosnje e Hercegovinës. Udhëheqësit e tyre, Aleksandër Vuçiç dhe Millorad Dodik, paralajmëruan trazira, nëse ajo miratohet. Se çfarë fshihet pas kësaj furie dhe sa serioze janë kërcënimet e tyre, ka qenë edhe pyetja kryesore e një artikulli nga gazeta gjermane “Die Welt”. “Çdo konflikt mund të shkaktojë një zjarr të pakontrolluar”, shkruan gazeta. Një gazetar i gazetës gjermane Welt vizitoi Srebrenicën, duke shkruar për rezolutën për gjenocidin që po përgatitet në Kombet e Bashkuara. Hyrja kujton ekzekutimin e rreth tetë mijë boshnjakëve, të cilin Gjykata e Hagës e karakterizoi si gjenocid në vendimin e saj.

Skenari i luftës

“Die Welt” shkruan se Ruanda dhe Gjermania, me sugjerim të ambasadorit boshnjak në OKB, kanë dorëzuar një propozim për rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ashtu si Holokausti dhe gjenocidi kundër Tutsi-ve në Ruanka, Srebrenica duhet të njihet ndërkombëtarisht si gjenocid dhe dita e përkujtimit do të festohej më 11 korrik. Votimi është të enjten, kujton gazeta gjermane. “Berlini mbështet miratimin e rezolutës, por kundërshtarët e rezolutës kërcënojnë me përshkallëzim”, shkruan më tej “Die Welt”. Para së gjithash, shkruan gazeta, është presidenti i RS-së, Milorad Dodik, ai që kërkon prej vitesh shkëputjen e RS nga Bosnja dhe Hercegovina. Nëse rezoluta miratohet, serbët do të tërhiqen nga të gjitha proceset vendimmarrëse në nivelin e BiH. Camil Durakoviç, një nga dy zëvendësit e Dodik ka qenë më se i qartë në deklaratën e tij për gazetën gjermane. “Nëse Dodik shpall shkëputjen, lufta do të shpërthejë këtu brenda një ore,” thotë Durakoviç. Bosnja është vendi më i brishtë në rajon dhe aktualisht ndodhet në krizën më të rëndë që nga shpërbërja e Jugosllavisë. “Çdo konflikt këtu mund të shkaktojë një zjarr të pakontrolluar, si në vitet 1990”, shkruan “Die Welt”.

Vuçiç si aktor kyç

Është e diskutueshme, shton gazeta, nëse Dodik është serioz në kryerjen e kërcënimeve. Disa thonë se ai thjesht dëshiron të bëjë lëshime për evropianët dhe amerikanët, sepse ai është nën presion politik.“Die Welt” shkruan se përfaqësuesit e qeverive perëndimore në “prapaskenë” pranojnë se zhvillimi në Bosnje-Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin po shkon në një “drejtim të rrezikshëm të gabuar”. “Dhe Beogradi mbështet kursin e Republikës Srpska”, shkruan gazeta, duke kujtuar se presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkoi që rezoluta për Srebrenicën të mos shkojë para Asamblesë së Përgjithshme, por para Këshillit të Sigurimit, ku një rezolutë e ngjashme tashmë dështoi në 2015 për shkak të vetos së Rusisë. “Serbia po destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha ministri i Jashtëm boshnjak Elmedin Konakoviç. Ai e quan “tronditës” reagimin e Vuçiçit ndaj rezolutës dhe i bën thirrje qeverisë gjermane të përdorë ndikimin e saj ekonomik në Serbi. “Gjermania duhet të ushtrojë më shumë presion”, thotë ai, pasi, Vuçiç është një lojtar kyç në rajon. “Unë shqetësohem se po shkojmë drejt një krize më të madhe se çdo gjë që kemi pasur”, thotë politikani.

Plani sekret

Duke e ditur tashmë se rezoluta për Srebrenicën, e cila dënon Serbinë për krime lufte dhe gjenocid, do të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiç ka vendosur të shtyjë Kuvendin e përbashkët, të planifikuar për ta mbledhur për Pashkë. Qëllimi i kësaj shtyrje është sepse Mirolad Dodik dhe Vuçiç kanë rënë dakord që ta mbledhin kuvendin e përbashkët menjëherë pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Duke e sfiduar hapur Perëndimin dhe duke treguar moskokëçarje dhe aspak pendesë për gjenocidin e shkaktuar nga serbët në 1995 në Bosnjë-Hercegovinë.Një lëvizje kjo që do të përdoret për të sfumuar sadopak, miratimin e një rezolute që e bën shtetin serb përgjegjës për krimet e luftës. Sakaq, data e votimit, për miratimin e rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës nuk dihet ende.