MENU
klinika

“Ndërtimi përdoret për pastrim parash”

Rritet informaliteti në punësim për vitin 2023, ekspertja: Të shtohen kontrollet e gjoba!

01.04.2024 - 14:18

Informaliteti në punësim gjatë vitit të kaluar, është rritur, dhe ishte i përqendruar kryesisht në tregti, ndërtim e fasoneri. Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi për Report Tv vë theksin se instancat shtetërore duhet të shtojnë kontrollet për bizneset, ndërsa një thirrje e ka për të gjithë punonjësit që të reagojnë. Ajo shprehet se fillimisht duhet që të ndërgjegjësohen qytetarët.

“Nuk duhet të pranojmë që të punojmë në tregun informal. Është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi ynë. Shumë shpejt na vjen mosha e pensionit, buxhetet tona nuk janë të nivele më të larta dhe të vuajmë një plagë tjetër që do jetë ose mos marrja e pensionit, ose një pension minimal”, tha Radonshiqi për Report Tv.
Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ekspertja thekson se informaliteti më i madh gjendet në sektorin e ndërtimit, ndonëse është një sektor i mirëpaguar. Ndër të tjera, ekspertja përmend edhe tregun e mobilierive si një sektor me informalitet të lartë, për të cilin thotë se ka paga të larta, madje sipas saj shpesh herë punonjësit në mobileri paguhen edhe më shumë se profesorët e shkencave.

“Ndërtimi është një ndër sektorët më të paguar. Punonjësit që janë në këtë sektor janë të mirëpaguar. Pse bien pre dhe bëhen palë me investitorët për të punuar në tregun informal. Në momentin që nuk sigurohen, sektori i ndërtimit ka dhe rrisqe. Ai mund të humbasë jetën në skelë dhe ligji s’ka si ta mbrojë. Ndryshimi duhet të nisë nga ne, qeveria duhet të bëjë kontrolle, biznesi duhet të kuptoj që këtë punonjës duhet ta sigurojë
Është edhe sektori i mobilimit që, paguhen me çmime të larta. Madje edhe më shumë se një akademik, mund të marrin në sektorin e mobilierisë edhe 1 mln lekë të vjetra. Më shumë se një profesor shkencash”, vijon ekspertja.
Radonshiqi shprehet se sektori i ndërtimit përdoret për pastrimin e parave.
“Ky sektor ka edhe para informale, para të pista, apo para emigrantësh që i kanë në mënyrë informale. Sektori i ndikimit shihet edhe si mënyrë për të pastruar para. Edhe për blerjen e pasurive të paluajtshme ka investitorë që shesin apartamente dhe i marrin paratë cash. Kemi kërkesë të lartë të punonjësve në këtë sektor. Një punëtor mund të marrë edhe 50 mijë lekë të vjetra dita”, shprehet ajo.
Ekspertja vë theksin tek kontrollet, por edhe gjobat ndaj bizneseve, si dy mënyra për të luftuar informalitetin.
“Gjoba është një instrument që do shërbente për edukim, në fakt tatimet kur dalin në terren një pjesë e bizneseve gjobitin, por ka edhe korrupsion. Kur biznesi bëhet palë me punonjësin e tatimeve. Jo vetëm që duhet të vërë gjoba, por duhet të sigurohet që punonjësit që vendosin gjoba të bëjnë punën e tyre”, vijoi Radonshiqi.
Shifrat zyrtare tregojnë se puna në të zezë u rrit me 9.2% në 2023, dhe nga ana tjetër është thelluar edhe më shumë problemi me pagat e padeklaruara. Inspektoriati i punës thotë se nga mbi 200 mijë punonjës të inspektuar vjet, rreth 40 mijë ishin me paga minimale.