Në një moment të vështirë për Serbinë, presidenti Aleksandër Vuçiç duket se po kërkon “zgjidhje” për të përmirësuar imazhin e vendit apo edhe për të gjetur aleatë të rinj, për të luftuar betejat e veta gjeopolitike. Ndaj, kësaj here ai duket se po kërkon “shpëtim” tek Franca. Presidenti Aleksandër Vuçiç do të jetë sot edhe nesër, për një vizitë zyrtare në Francë, ku me presidentin francez Emmanuel Macron do të diskutojë drejtimet strategjike për përmirësimin e bashkëpunimit me Francën. Vuçiç do të takohet me Macron dhe pas takimit, presidenti do të marrë pjesë në një darkë gala të organizuar nga Presidenti, për nder të tij në Pallatin Elysee. Vuçiç gjatë vizitës do të ketë takime të veçanta me kryetarin e Senatit francez, Gerard Larchet dhe ministrin e Mbrojtjes, Sébastien Lecornu. Gjatë vizitës, presidenti i Serbisë do të marrë pjesë edhe në një takim me përfaqësues të shoqatës së biznesit francez Lëvizja e Sipërmarrësve Francezë, MEDEF International dhe përfaqësues të kompanive franceze të interesuara për të investuar në Serbi. Analistët presin që ky takim “të vulosë Francën si aleatin më të madh të Serbisë brenda Bashkimit Evropian”.
Çështjet në tryezë
Hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjia bërthamore, bashkëpunimi në fushën e industrisë së përkushtuar, forcimi i bashkëpunimit në sektorin e TI-së, bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe ekologjisë, janë vetëm disa nga temat që do të diskutohen në takim. Pritet të nënshkruhen kontrata me vlerë miliarda euro. Siç shkruan media serbe “Blic”, me francezët, serbët do të punojnë në robotikë, helikopterë “Erbas”, por edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë. Në tavolinë do të jenë edhe temat politike. “Ata do të diskutojnë për rrugën evropiane të Serbisë, por edhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia deri në momentin e fundit do të mundohet ta pengojë Prishtinën që të ketë dy të tretat e shumicës”, shkruan “Blic”. “Shumë ishin skeptikë dhe qeshën me mua për këtë ide, por nëse nuk ka probleme sigurie, Serbia do të ketë një automjet taksi fluturues për Expo, për të treguar se si duket. Ne punojmë me dy kompani, njëra është franceze, njëra është ndoshta nga Austria”, tha Vuçiç, teksa foli për vizitën.
Blerja e avionëve
Në intervistën e tij, presidenti tha se ndër të tjera do të diskutojë me presidentin Emmanuel Macron për blerjen e 12 avionëve të rinj Rafale. Ai tha se shpreson që gjatë vizitës së tij, të nënshkruhet marrëveshja për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale, të rinj, jo të përdorur. “Kjo na bën, brenda kuadrit tonë, një fuqi të madhe. Rafale është një nga tre avionët më të mirë luftarak në botë”, pohoi Vuçiç. Ai bëri të ditur se në Paris do të nënshkruhen edhe kontratat për blerjen e disa pajisjeve më moderne ushtarake, pa dhënë detaje të tjera. Sr?an Barac nga Qendra për Stabilitet Social thotë se, Franca, si vendi i dytë në botë në eksportet e armëve, është shumë i rëndësishëm për momentin. “Në këto ditë kur të gjithë po armatosen, është e rëndësishme që Serbia të armatoset në përputhje me teorinë e parandalimit, në mënyrë që të mos i pengojë të gjithë ata që mund të kenë ambicie të bëjnë diçka në rajon kundër interesave të Serbisë”, tha Barac.
Zëvendësimi i Gjermanisë
Vizita në Francë, siç shkruajnë mediat serbe, do të jetë më e madhja në 35 vitet e fundit dhe ndaj është ngritur në nivelin e një takimi strategjik. “Deri tani kam bërë gati 20 biseda me presidentin Macron, mendoj 19 biseda. Kjo do të jetë më e rëndësishmja, do të jetë strategjike, mendoj se francezët janë përgatitur për të dhe ne po përgatitemi”, tha Vuçiç. Boshko Jakshiç, analist i politikës së jashtme, thekson për “Blic” se ky është një takim që duhet të vulos Francën si aleatin e ri më të madh të Serbisë brenda Bashkimit Evropian. “Meqenëse marrëdhëniet me Gjermaninë ngrinë, është Franca ajo që duhet ta marrë atë rol. Vuçiç e quan Macron mik, janë paralajmëruar investime të mëdha dhe në Perëndim çdo miqësi matet me para. Duhet të presim rritje të investimeve franceze në Serbi, por jo përparim sa i përket Kosovës”, vlerësoi Jakshiç.