Përmes raportit për vitin 2023 të publikuar nga SPAK janë zbërthyer rrugët e trafikut të drogës, e në veçanti të kokainës nëpër botë.
Në hartën e përcaktuar nga Prokuroria e Posaçme, grupet shqiptare të trafikut janë të përqendruara në Amerikën e Jugut, por edhen në Lindjen e Mesme ku sigurojnë kokainën, heroinën dhe marijuanën.
E pikërisht nga këto vende këto grupe kanë arritur të blindojnë edhe rrugën për t’i sjellë lëndët narkotike drejt Shqipërisë drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të tjera të BE-së. Janë pikërisht grupet kriminale shqiptare, sipas SPAK, që të pozicionuara shumë mirë në Amerikën e Jugut kanë konkurruar edhe organizatat vendase të krimit atje, duke krijuar akses në nivele të larta qeveritare, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.
Nga Amerika e Jugut këto grupe mbajnë lidhje me grupet kriminale shqiptare që janë aktive në Vendet e Bsashkimit Europian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ballkanin Perëndimor dhe përmes porosive apo degëve që kanë në tregjet kriminale të këtyre vendeve, marrin përspër sjelljen e sasive të konsiderueshme të kokainës, madje edhe të një cilësie shumë të pastër.
Portet kryesore që përdorin grupet shqiptare të drogës me seli në Amerikën e Jugut janë ato të Xhoja Tauro Itali, Roterdam në Holandë, Anterp në Belgjikë, Algesiras në Spanjë, Pireu në Greqi si dhe Tivari në Malin e Zi si edhe porti i Durrëst në vendin tonë, i cili gjithashtu siç thuhet në raportin e SPAK, po përdoret edhe nga grupet kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës drejt Italisë e më pas vendeve të tjera të BE-së.
Në raport theksohet gjithashtu se krerët shqiptarë të organizatave të drogës kanë shfrytëzuar Francën për tu fshehur kur ndiqen penalisht në Shqipëri.
Më të lehtë ata e kanë të investojnë paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal në Spanjë, ndërsa Gjermaninë e përdorin si vend për të kryer përzierjen e drogërave të forta. Një tendencë e re është edhe shtrirja e aktivitetit kriminal në vendet skandinave si Danimarka, Norvegjia dhe Suedia.