MENU
klinika

"Ka përfunduar në luftëtar kundër interesave…"

Sulmet e Metës ndaj SPAK, ‘shpërthen’ Braçe: Është një dështim!

26.04.2024 - 09:56

Deputeti, Erion Braçe foli për deklaratat e bëra së fundmi nga kreu i PL, Ilir Meta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani.

Braçe e konsideroi “dështim” mënyrën sesi Meta po Lufton kundër interesave pro perëndimore, ndërkohë që dikur në PS, punonte pro këtyre qëllimeve.

“Është një dështim. Të nisesh me një vizion komplet tjetër pro perëndimor, madje të udhëheqësh projekte brenda Partisë Socialiste me organizatën rinore për ta moderizuar dhe orientuar atë, tani të përfundosh në një luftëtar kundër këtyre interesave, nuk shkon, është dështim i madh”- tha Braçe në emisionin “Top Talk”.

Sa i takon fyerjeve dhe kërcënimeve të Metës kundër SPAK, Braçe tha se sulme të tilla cënojnë integritetin e institucioneve dhe theksoi se politikanët duhet të jenë totalisht të barabartë me qytetarët e tjerë para ligjit. Sipas deputetit, duhet që Meta të kundërshtojë nëpërmjet procedurave ligjore një vendim që mund të mos i pëlqejë por jo të bëjë sulme të tilla.

“Për mua nuk kanë rëndësi fare ato që thotë përveçse në rastin kur sulmon drejtësinë. Një vendim sado i padrejtë të jetë në gjykimin tënd, nuk mbrohet se ti je politikan. Ka procedurë ligjore dhe çdo vendim i padrejtë i një gjykate ankimohet.

Fuqia që politikanët përdorin për të delegjitimuar punën e prokurorit, të gjykatësit apo gjyqtarëve të drejtësisë së re, duhet të ndalet këtu. Cënon fort integritetin e këtyre institucioneve. Shqiptarët nuk kanë nevojë për pabarazi para ligjit. Kanë nevojë për politikanë të përulur që u nënshtrohen proceseve ligjore si gjithë të tjerët”- shtoi deputeti.