MENU
klinika

Nga Gjeneral ® Piro Ahmetaj

8 Maj 1945, dita e fitores mbi nazifashizmin dhe e mos-harresës

08.05.2024 - 08:05

Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Siç është botërisht e mirënjohur, 8 Maji 1945 mbetet e skalitur jo vetem si një ngjarje madhore e njerëzimit por edhe për mësimet e nxjerra si dhe mesazhin e “mos-harresës” që përcjell kjo ditë ndaj 32 vendeve të NATO-s, rrjedhimisht edhe ndaj vendit tonë.

***

Po çfarë simbolizon kjo datë (?); cilat janë vlerat dhe mësimet e nxjerra të kësaj ngjarje të lavdishme si dhe kush mund të jenë mesazhet gjeostrategjike për paqen, rendin global, parimet e demokracisë funksionale, Aleancën Euroatlantike dhe mbarë njerëzimin?

79 vjet më parë, pra në 8 Maj 1945, në Berlin u nënshkrua akti i kapitullimit të Gjermanisë – Hitleriane. Pavarësisht datës së kremtimeve madhështore dhe emërtimeve, si Dita (Staliniste) e Fitores, apo Dita Euroatlantike e Fitores: “mbetet përjetësisht e përbashkët që 8 Maji është dita e çlirimit, është data e kurorëzimit të qëndresës, mbetet dita e lirisë dhe sakrificave të përbashkëta si dhe data e triumfit mbi nazifashizmin, një nga makineritë më kriminale që ka prodhuar historia e njerëzimit”!

Pikërisht më 8 Maj 1945, Presidenti i SHBA-ve, Harry S. Truman, i dërgoi mesazh popullit amerikan dhe mbarë botës si dhe liderëve perëndimore të koalicionit, Winston Churchill, General De Gaulle, etj duke ndarë impresionet për vlerat e fitores të koalicionit të përbashkët.

Po ashtu në të njejtën datë, pra në 8 Maj 1945, Gjenerali Suprem i frontit perëndimor, babai i NATO-s dhe President i SHBA-ve, Dwight Eisenhower, përcolli emër për emër çdo luftëtari të çdo vendi koalicionit antifashist (përfshi nacional-çlirimtarëve Shqiptare) urimet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për sakrificat, kurajën si dhe kontributin e paçmuar për gjunjëzimin e bishës nazifashiste.

Prandaj 8 Maji, përkujtohet fundi i një lufte çnjerëzore, që u shtri në mbarë planetin. Nderohet një kalvar vuajtjesh dhe sakrificash të papërshkruara, një ferr që zgjati 5 vjet, që preku 80 % të popullsisë së globit dhe që mori jetën e rreth 60 milionë fëmijëve, burrave dhe grave të pafajshëm nga mbarë vendet e botës. Po ashtu, do ishte mëkat i madh të mbuloheshin nga harresa këta dhjetëra miliona si-dëshmorë të paqes, mes tyre rreth 320.000 të masakruarit barbarisht në kampet famëkeqe të Mathauzenit, etj.

Kjo datë është gjithashtu një memorie mirënjohje, nderimi dhe respekti të merituar për komandantet e lavdishëm si dhe shtetarët e mëdhenj, si Churchill, Eisenhower, Zhukov, De Gaulle, etj, të cilët me vizion, përkushtim dhe përgjegjshmëri drejtuan luftën dhe në 8 Maj nënshkruan fitoren historike të koalicionit.

E gjej mbresëlënëse gjithashtu, dhe po perifrazoj, atë ç’ka Presidenti Truman e përmbyllte mesazhin historik të 8 Majit 1945: “Ajo që na pret, ndërtimi i paqes, nuk është më pak e rëndësishme, nuk është as më pak e vështirë, por Ne do ta ndërtojmë paqen duke u mirëkuptuar, besuar dhe punuar së bashku, ashtu siç e arritëm këtë fitore historike”!

 

***

Pse edhe Shqipëria do duhet ti bashkohet celebrimeve për 8 Majin, pra me këtë datë-ngjarje heroike për njerëzimin? Me dhjetëra ngjarje kulmore, janë skalitur me meritë në memorien e lavdisë së historisë kombëtare. Pra pse në 8 Maj, Shqipëria si pjesë e koalicionit, duhet ti bashkohet me 32 vendet Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe disa vendeve partnere (p.shh Ukraina etj), në celebrimin e kësaj ngjarjeje:

Pikësëpari, kjo datë do të shërbente për të kapërcyer kacafytjet 33 vjecare/qesharake për datat 28-29 nëntor, pra për daten e çlirimit të vendit. Për më tepër, 8 Maji do i jepte vlera shtesë përuljes për të rënët, nderimit për sakrificave sublime të popullit tonë si dhe peshës së rreshtimit me koalicionin e fitimatrëve.

E parë kështu, besoj edhe fortë se 8 Maji dhe kjo ngjarje e madhe do duhet të na shërbejë jo për të na ndarë sipas interesave politike të ditës, por si “ilaç për të mjekuar plagët e kohezionit dhe solidaritetit kombëtar”, mbi të gjitha, si urë e fortë bashkimi rreth flamurit, interesave kombëtare dhe si fanar për të na ndriçuar në udhëtimin drejt perspektivës europiane të Shqipërisë.

Së dyti, është botërisht i njohur, kështu edhe një vlerë e shtuar, fakti që Shqipëria I’u bashkua këtij koalicioni të madh, bashkë me me sfidat dhe vlerat përbashkëta të fitimtarëve. Duke qënë kështu, Ne/Shqiptarët kemi të drejtë legjitime të ndihemi dyfish krenarë në 8 Maj, në këtë datë historike, pasi siç e ka përshkruar Kissinger në librin e tij Diplomacy: “Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetë-çlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë”.

Prandaj pa asnjë hezitim, datën 8 maj e çmoj një “gjetje mjaft të mençur/goditur”, pra dhe sygjerimin që në këtë ditë nderimi Shqipëria e vogel t’i bashkohet koalicionit fitimtarëve për t’u përulur para kujtimit të qindra miliona burrave dhe grave që dhanë jetën dhe bënë sakrifica të mbinatyrshme, për ta shpëtuar njerëzimin nga gjenocidi nazifashist.

Në shtesë, e çmoj si detyrim shtetëror, që çdo 8 Maj, të përulemi me mirënjohje ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën, të kujtojmë dhe nderojmë emër për emër luftëtarët e kombit tonë, që u bashkuan kundër hordhisë nazifashiste pa dallim feje, krahine dhe bindjeje politike, që u ndeshen si të barabartë dhe e mposhtën një ushtri 100-ra herë më të madhe në numër, armatime, fuqi luftarake dhe organizim.

Së treti, jo pa qëllim dhe përkundër prapagandës bollshevike, po sjell në vëmendje të publikut qëndrimin e atdhetarit të përkushtuar dhe shtetari mendjehapur si Mehdi Bej Frashëri, i cili më 7 prill, në Radio Tirana i bërë thirrje popullit shqiptar që “të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist”. Ndërsa po ashtu mbetet mbresëlënës edhe mesazhi drejtuar Benito Musolinit: “Nga hiri i shpirtit të Skënderbeut, ne ju bëjmë thirrje te pranoni pavarësinë e Shqipërisë, përndryshe, armata juaj fashiste do të kalojë vetëm mbi kufomat e burrave dhe grave të këtij vendi”.

Thënë këtë, a nuk do të ishte shumë e padrejtë të harrojmë dhe të mos përulemi me të njëjtën mirënjohje dhe respekt edhe para sakrificave të dhjetëra mijëra luftëtareve dhe familjeve të tyre që dhanë gjithçka për çlirimin e vendit, por u vranë, u burgosën dhe u persekutuan barbarisht nga regjimi E. Hoxhës që u instalua pas çlirimit nga nazifashistët 8 Maj 1945 deri në Mars 1991.

Për ta përmbyllur, dëshiroj të sjell në vemendje mësimin uleritës që na vjen nga historia e luftrave gjakatare: “Nëse harrojmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neonazistët e Rusisë – Putiniste (po shkelin mbi sakrificat, dhe rolin e popullit Rus në fitoren e luftës së II-të botërore); Kim-Jongët e Azisë dhe Shtetet apo Organizatat Terroriste;  ushtarët/pasuesit e Milloshevicit në Beograd apo Dodikët e droguar nga interesat e Moskës, që jo vetëm po kërcënojnë sovranitetin teritorial të Ukrainës martire, paqen në lindjen e mesme, sigurinë dhe axhendën e integrimit te 5 vendeve te ballkanit perëndimor, por po sfidojnë seriozisht vlerat themelore, rendin global, fuqinë e aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) si dhe stabilitetin demokratik të shoqërisë njerëzore.

Nga ky këndvështrim, 8 Maji përmban edhe një mesazh të fortë për 32 vendet NATO-s, rrjedhimisht edhe për vendin tonë, jo vetëm të mbështesim me deklarata Ukrainën, NATO-n, SHBA-të, në këtë betejë “për jetë a vdekje” me të keqen e përbashkët, por të marrin përgjegjësitë, të ndajnë barrën, për të përmirësuar rrënjësisht kohezionin rreth vlerave, Institucionin e mos-harresës, sistemin dhe kapacitetet e sigurisë në përballjen Neo-nazistët e rinj dhe sundimtarët e marrosur që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore, rendin global, vlerat euroatlantike, stabilitetin demokratik të shoqërisë dhe interesat jetike të qytetareve.

Prandaj 8 Maji, sigurisht meriton të celebrohet si një ngjarje e ladishme, por edhe për mesazhet aktuale, të përbotshme dhe të përjetshme për mbarë njerëzimin: “për lirinë, paqen, sigurinë, stabilitetin demokratik dhe vlerat themelore, duhet të mos harrojmë kurrë. Për më tepër, ja vlen dhe duhet çdo ditë vigjilencë, solidaritet si dhe duhet çdo ditë përgjegjshmëri dhe sakrifica”!

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj: 

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, 

Zv/President i Këshillit Atlantikut, & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, 

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.