MENU
klinika

Studimi

A është vërtet i dëmshëm për mirëqenien përdorimi i internetit?

17.05.2024 - 11:53

Duket si një version i kundërt i asaj që kanë besuar njerëzit deri më sot! Pra, fakti që qëndrimi gjatë në telefon, iPad apo pajisje të tjera elektronike shkakton probleme mendore dhe fizike te njerëzit. Por, sipas këtij studimi të fundit botëror, përdorimi i internetit nuk duhet shmangur, pasi kjo lidhet me më shumë mirëqenie të njerëzit.

Ndikimi i mundshëm në mirëqenien që sjellë interneti dhe mediat sociale në veçanti, është bërë shpesh çështje debati. “Analiza jonë teston nëse qasja në internet, celularë dhe përdorimi i rregullt i pajisjeve elektronike lidhet apo jo me mirëqenien në nivel global,” tha Andrew Przybylski, profesor nga “University of Oxford”.

Ky studim është botuar në revistën “Technology, Mind and Behaviour” dhe në të janë analizuar të dhënat e mbledhura përmes intervistave të një mijë njerëzve çdo vit nga 168 vende si pjesë e Sondazhit Botëror të Gallup.

Pjesëmarrësit u pyetën për aksesin dhe përdorimin e internetit, si dhe për tetë standarde të ndryshme të mirëqenies, të tilla si kënaqësia nga jeta, angazhimi social, qëllimet afatgjata dhe ndjesia e mirëqenies në aspektin shoqëror etj. Ekipi analizoi të dhënat nga viti 2006 deri në vitin 2021, duke përfshirë rreth 2.4 milionë pjesëmarrës të moshës 15 vjeç e sipër.

Studiuesit përdorën më shumë se 33 mijë modele statistikore, duke i lejuar ata të eksplorojnë lidhje të ndryshme që ndikohen nga elementë të tillë, si të ardhurat, arsimi, problemet shëndetësore dhe marrëdhëniet në çift.

Rezultatet tregojnë se aksesi në internet dhe përdorimi në tërësi treguan matje më të larta të mirëqenies, me 84.9% të lidhjeve mes lidhjes së internetit dhe mirëqenies pozitive, 0.4% negative dhe 14.7% jo statistikisht domethënëse.

Studimi nuk ishte në gjendje të provonte shkakun dhe efektin, por ekipi zbuloi se matjet e kënaqësisë nga jeta ishin 8.5% më të larta për ata që kishin akses në internet. Nuk u shqyrtua në studim as kohëzgjatja e qëndrimit në internet, ose se për çfarë profili përdorej më shumë, por sipas profesorit Przybylski, i rëndësishëm është fakti se u provua se përdorimi i teknologjisë ndikon në mirëqenien e përgjithshme të njerëzve.