MENU
klinika

Dashuria e madhe e Margarita Xhepës

Aktorja rrëfehet si rrallë herë për bashkëshortin

10.05.2024 - 11:49

Në jetën e Margarita Xhepës pati nje dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave e megjithatë i bashkoi arti zemrat dhe qeniet e tyre.

Në një intervistë “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Margarita Xhepa përkufizoi jetën me bashkëshortin e saj dhe raportin e veçantë mes tyre.

“Në radhë të parë ishim artistë të dy, edhe ai ishte artist, edhe unë, na bashkoi arti.

Vija re tek ai njeri që të parën kishte qytetari, kishte fisnikëri, sepse vinte nga një familje fisnikësh, nga një familje me emër të mirë.

Kjo ka të bëjë shumë sepse fëmijët, kryesorja janë familja, edukata që marrin.

Pikërisht mençuria, dëshira për artin na bashkoi. Ai e donte shumë artin, por edhe unë e doja.

Të dy punonim, sugjeronim me njëri-tjetrin, ndihmonim njëri-tjetrin. Ka qenë gjë shumë e bukur”, tha ajo.

Profesioni i përbashkët ndikonte në mirëkuptimin mes tyre. Pavarësisht roleve, kontakteve me njerëz të tjerë, asnjëri nuk bëhej xheloz për tjetrin sepse e dinin që dashuria e vërtetë ishte ndryshe, pikërisht ajo që mbanin në zemrat e tyre.

“As na ka shkuar ndërmend sepse edhe ai ishte artist, kishte partnerët e vet, edhe unë.

Në asnjë mënyrë sepse ajo është një truk, fundi i fundit në art që bëjmë, kurse dashuria e vërtetë shprehet ndryshe.

Por truket që përdorim në film dhe role janë tjetër gjë dhe ne e kuptonim mirë njëri-tjetrin”, tha Margarita Xhepa.

Kur aktorja ishte 52 vjeçe, Xhaviti u nda nga kjo botë dhe kjo e bëri Margarita Xhepën t’i përkushtohej plotësisht tre djemve, krenarisë së tyre më të madhe.

“Tre djem, njëri më i mirë se tjetri, kjo ka qenë dashuria e madhe, sepse bashkë me Xhavitin i kemi rritur këta tre djem dhe më vjen mirë që morën diçka.

Por më tepër kanë marrë nga babai i tyre se sa nga unë, kështu them unë, shkruan Vjosa.net.

Kështu që na u bënë të mirë dhe kjo është krenaria e prindërve.

Dolën në jetë për veten e tyre, për neve që na kanë dhënë kënaqësi, por edhe për shoqërinë, për punët që bënin”, tregoi aktorja e madhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘Flutura në kabinën time’!

Rrëfimi ndryshe i aktorit Ndriçim Xhepa

Një nga ato dhurata që falenderon Perëndinë sa herë e kujton

Drita, ti tundon çdo mars dhe shijon çdo vit, e di?

"Qenke më e bukur se unë..."

Kur Irene Papas i tha Margarita Xhepës