MENU
klinika

Urbanizimi

Banka Botërore: Të gjithë drejt Tiranës dhe Durrësit

09.05.2024 - 12:25

Sipas të dhënave të treguesve demografikë nga INSTAT për 10-vjeçarin e fundit, rezulton se në 10 qarqe të Shqipërisë numri i popullsisë banuese është ulur me ritme të shpejta. Popullsia e Shqipërisë në vitin 2013 ishte 2.89 milionë banorë, ndërkohë që përgjatë një dekade popullsia u reduktua me 4.7% duke regjistruar 2.76 milionë banorë gjithsej.

“Scan intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar se si ka lëvizur popullsia sipas qarqeve gjatë periudhës 2013-2023? Gjatë kësaj kohe në Shqipëri popullsia banuese është tkurrur në 10 qarqe dhe është rritur vetëm në dy qarqe, në atë të Tiranës dhe Durrësit. Të dhënat e INSTAT mbi treguesit e demografisë tregojnë se qarku që është dëmtuar më shumë nga reduktimi i popullsisë banuese ka qenë ai i Gjirokastrës. Në këtë qark një vit më parë regjistroheshin 27.7% më pak banorë se në vitin 2013-të.

Më pas ndjek qarku i Beratit ku në vitin 2023 ky qark regjistron afro 111,400 banorë nga 143,900 që ishin në vitin 2013. Po ashtu edhe Dibra ka patur një rënie të konsiderueshme të popullsisë referuar kësaj periudhe, ku në terma nominalë kjo rënie konstatohet në 22.8%.

Edhe në qarqet si Korçë, Kukës, Lezhë dhe Shkodër mbeten shqetësuese shifrat e largimit të banorëve. Konkretisht, në Kukës popullsia në dekadën e fundit është ulur me 16.9%, në Korçë me 14.5% dhe në Lezhë me 15.9%.

Në të kundërt, qarqet si Tirana dhe Durrësi ishin të vetmet qarqe me shtesë natyrore pozitive të popullsisë. Në Tiranë në vitin 2023 regjistohen 925,268 banorë ose 15.5% më shumë se në vitin 2013-të. Ndërkohë, në Durrës rritja e popullsisë rezulton të jetë 5.8% duke regjistruar kështu afro 290,000 banorë nga rreth 274,000 që ishin në vitin 2013-të. Tirana zë rreth 33.5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10.5% dhe 9.8% përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjera, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1.9% deri 4.1% të popullsisë gjithsej.

Por cilët janë faktorët që kanë shkaktuar tkurrje të popullsisë në 10 qarqet e vendit?

Pakësimi i banorëve në qarqet e Shqipërisë është efekt i drejtpërdrejtë i emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm të popullsisë. Gjithashtu në një analizë analoge të numrit të lindjeve në 10 vitet e fundit rezulton se në shkallë kombëtare lindjet ranë me 37% duke regjistruar kështu vetëm 22,210 lindje gjithsej, numri më i ulët në 3 dekada. Nga ana tjetër, zhvendosja e një pjese të konsiderueshme të popullsisë nga rrethet drejt qyteteve si Durrësi dhe Tirana lidhet me një tendencë tashmë globale, ajo e urbanizimit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore rezulton se në Shqipëri në vitin 2013-të, 55% e shqiptarëve jetonin në qytete, ndërkohë kjo normë ka qenë në rritje në vitet e ardhshme. Në vitin 2022, viti i fundit që disponohen të dhëna zyrtare rezulton se 64% e popullsisë është e përqendruar në zonat urbane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blegtoria në rënie të vazhdueshme në Shqipëri

Braktisja e fshatit çojnë në tkurrjen e numrit të krerëve

Ndotja - vrasësja e heshtur

Ekonomia e një qyteti pa makina


Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin