Brenda muajit qershor do të rishikohet buxheti i shtetit për vitin 2024. Një nga ndryshimet që do të bëhet ka të bëjë me rritjen e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë.
Brenda rritjes së buxhetit do të përfshihet edhe një skemë garancie sovrane e dedikuar sektorit të bujqësisë që do të ketë në fokus rritjen e investimeve në këtë sektor.
Kjo skemë garancie do të synojë që të rrisë sa më shumë aksesin në financë për shkak se bujqësia është sektori më pak i financuar nga bankat, pasi ka rrezik te lartë.
Po ashtu me rishikimin e buxhetit do të vlerësohet edhe nevoja nëse do të duhen fonde shtesë për të mbështetur fermerët përfitues të skemës kombëtare.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar bankat kanë dhënë për këtë sektor vetëm 2.7 miliardë lekë, ose rreth 0.9% e totalit të huasë së re të dhënë për gjithë ekonominë përgjatë vitit të kaluar.