MENU
klinika

GPT-4O

Ç’mund të bëjë modeli i ri i inteligjencës artificiale?

18.05.2024 - 13:49

Javëve të fundit është pritur që OpenAI do ta prezantonte një version të avancuar me IA të një mjeti kërkimi online, që do të konkurronte me motorin e kërkimit të Google-it, por ditë më parë Altman paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhte

OpenAI ka prezantuar një version të ri – me kapacitet më të lartë dhe me më shumë aftësi si të njeriut – të teknologjisë së inteligjencës artificiale (IA) që e fuqizon mjetin e tij të popullarizuar gjenerativ, ChatGPT, i cili do të mund të përdoret pa pagesë. Përditësimi i produktit kryesor të OpenAI-së u paralajmërua një ditë para prezantimit që Google pritet të bëjë rreth të rejave për Gemini-n, mjetin e IA-së të gjigantit prapa motorit të kërkimit më të popullarizuar në botë, i cili rivalizon drejtpërdrejt me ChatGPT-në. “Jemi shumë-shumë të lumtur që po sjellim GPT-4o për të gjithë përdoruesit tanë pa pagesë”, tha më 13 maj shefja për teknologji e kompanisë nga Kalifornia, Mira Murati, gjatë një prezantimi të organizuar në San Francisko.

Modeli i ri, GPT-4o (shkronja o është shkurtesë për “omni”), do të inkuadrohet në produktet e OpenAI-së gjatë javëve të ardhshme, bëri të ditur kompania, teksa konsumatorët që paguajnë do të kenë qasje të pakufizuar në mjetin gjenerativ. OpenAI ka thënë se modeli i ri mund të gjenerojë përmbajtje apo të kuptojë komanda me zë, me tekst apo me imazhe. “Opsioni i ri me zë (dhe me video) është ndërfaqja më e mirë kompjuterike me të cilën kam punuar. Ngjason me IA-në nga filmat”, tha kryeshefi i OpenAI-së, Sam Altman, nëpërmjet një shkrimi. Altman më herët i është referuar personazhit që luan aktorja amerikane, Scarlett Johansson, në filmin “Her”, si frymëzim për nivelin e ndërveprimit që ai do të donte ta arrinte IA-ja. “Të flasësh me një kompjuter kurrë s’më është dukur aq e natyrshme; tani po”, shtoi ai.
Murati dhe inxhinierët e OpenAI-së demonstruan kapacitetet e reja të GPT-4o gjatë prezantimit të modelit të ri, duke e sfiduar versionin e avancuar të robotit bisedues, ChatGPT. Demonstrimi përfshiu kryesisht pjesëtarë të stafit të OpenAI-së duke i bërë pyetje versionit me zë të ChatGPT-së, i cili u përgjigj me sarkazëm dhe tregoi barcoleta. Roboti shërbeu edhe si përkthyes nga anglishtja në italishte dhe anasjelltas, interpretoi mimika dhe e ndihmoi një përdorues të zgjidhte një problemë të vështirë matematikore. Kompania tha se GPT-4o ka të njëjtat aftësi si versioni i mëparshëm kur bëhet fjalë për tekstin, arsyetimin dhe kodimin, ndërsa vë standarde të reja industriale për biseda shumëgjuhëshe, dëgjim dhe shikim. Në një demonstrim, ChatGPT me sukses interpretoi ambientin e një punonjësi përmes kamerës së telefonit të mençur, duke folur me një zë miqësor e femëror, sikur roboti me IA në filmin “Her”. “Hëm, nga ajo që mund të shoh, duket se je në një studio incizimi apo produksioni, me drita, trekëmbësh… mos je duke u bërë gati të xhirosh një video apo të bësh një njoftim?”, tha roboti ChatGPT.