Gazeta më e madhe në Greqi “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull turit të kryeministrit Rama me shqiptarët nëpër botë, takim që siç është paralajmëruar do të nisë nga Greqia.
Sipas artikullit të gazetës greke, autoritetet helene kanë anuluar lejen e dhënë më parë për mbajtjen e takimit në hollin olimpik “Gallatsi”, për shkak se aty mbahen edhe aktivitete të tjera.
Më pas, Ministria e Jashtme greke ka informuar kryeministrinë Shqipëtare se vizita është mirë të shtyhet pas 9 qershorit, meqenëse Greqia është aktualisht në zgjedhjet europiane.
Por kjo nuk është marrë parasysh dhe kryeministri shqiptar thuhet se është i vendosur për të realizuar vizitën.
“Tashmë është absolutisht e qartë se Rama e mori vendimin e tij menjëherë pas shpalljes së Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg, si kandidat për eurodeputet nga radhët e partisë së kryeministrit grek”, shkruan gazeta, e cila thekson se “më 12 maj bëhet një vit nga arrestimi i Fredi Belerit”.
“Por nisur nga atmosfera e ngarkuar me ngjarjet në Himarë, udhëtimi i Ramës mund të nxisë konfliktin e brendshëm politik parazgjedhor, duke e çuar çështjen Beleri në axhendën e debatit publik. Apo edhe të provokojë reagime nga elemente të caktuara në Athinë, gjë që qeveria definitivisht nuk e dëshiron.
Gjithashtu, burime diplomatike në Tiranë dhe Athinë theksuan se vizita e planifikuar mund të ketë objektivisht elementin e shfaqjes së forcës, ku Rama tenton të instrumentalizojë votën në zgjedhjet europiane të dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë që kanë të drejtën ligjore, për të votuar si shtetas grekë, në përgjigje të kandidaturës së Belerit.
Megjithatë, një ngjarje e tillë, edhe nëse Rama i shmang referimet për zgjedhjet europiane, në çdo rast do të përbënte përfshirje indirekte në proces. Nisur nga atmosfera e ngarkuar me ngjarjet në Himarë, udhëtimi i kryeministrit shqiptar mund të nxisë konfliktin e brendshëm politik parazgjedhor”, shkruan gazeta.