MENU
klinika

'Vë me shpatulla pas murit' Vuçiç

Kurti kërkon “kokën” e Radoiçiçit për vrasjen e policit

16.05.2024 - 11:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë një kërkesë të fortë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë fjalës së tij në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian , i cili po mbahet në Kotor të Malit të Zi.

Në prani të Edi Ramës, Kurti kërkoi nga Serbia që të dorëzojë në Kosovë, Milan Radoiçiç i cili njihet si organizatori i sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë janë të domosdoshme…Kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiçin në Kosovë dhe gjithashtu dhe grupin e tij paramilitar që e kanë vrarë rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator”, tha Kurti.

Më tej Kurti pati edhe një porosi ndaj Bashkimit Evropian (BE) që të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat e BE-së të vendeve të rajonit dhe më pas të veprojë sipas atyre të dhënave.

Kurti të enjten po merr pjesë në Samitin liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku po diskutohet edhe plani i rritjes për këtë rajon.

Sipas kryeministrit Kurti, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin e Kosovës në tregun unik evropian.

“Nëse ka një porosi që dëshiroj t’i bëhet BE-së është të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat e BE-së në rajon dhe të veprojë sipas atyre të dhënave. Për Kosovën, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin tonë në tregun unik evropian duke përshpejtuar reformat që kanë të bëjnë me demokratizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ai.