Kriteret e kredisë për individët ishin të copëzuara gjatë këtij tremujori, me një lehtësim të tyre për kreditë konsumatore dhe një shtrëngim në kreditë e dhëna për financimin e blerjeve të banesave. Lehtësimi i standardeve për kredinë konsumatore doli jashtë pritshmërisë së Bankës së Shqipërisë, pasi parashikohej një shtrëngim të kushteve si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat kanë tërhequr individët për të aplikuar për kredi konsumatore përmes reduktimit të komisioneve, aplikimit të marzheve më të ulëta dhe shtimit të madhësisë së huasë. Gjithashtu, si faktorë që ndikuan në lehtësimin e kushteve e termave të kreditimit për individët ishin shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, toleranca më e lartë e bankave kundrejt marrjes përsipër të riskut apo zgjatja e maturitetit të kredisë vetëm në kreditë e miratuara me qëllim financimin e konsumit. Raporti i huave të dhëna ndaj totalit të aplikimeve për kredi ishte më i lartë, i nxitur prej perceptimit të bankave mbi aftësinë paguese të individëve dhe historikut të tyre të kreditit.
Në lidhje me huatë lëvruar individëve me qëllim blerjen e banesave, bankat shtrënguan disi elementet çmim, nëpërmjet aplikimit të marzheve më të larta. Shtrëngimi i standardeve u bazua edhe në perceptimin e bankave mbi zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, ambientin e normave të interesit apo kërkesat më të larta për kolateral në kreditë për blerjen e banesave.
Edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, situata ishte e njëjtë. Shtrëngimi i standardeve u aplikua vetëm në huatë për blerjen e banesave, e ndikuar nga një bankë e vetme e sistemit. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit u lehtësuan në kreditë konsumatore.