Mediat greke kanë inskenuar momentin e ekzekutimit të 32-vjeçarit shqiptar në Greqi mbrëmjen e djeshme, nga dy persona të pa identifikuar që udhëtonin me motor. Vrasësit me pagesë e ekzekutuan Roan Brahimi në sy të fëmijës dhe gruas së tij.
Gjithçka ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Messolongiou dhe Tsaldari. Makina e zezë i afrohet sheshit Lazarus. 32-vjeçari është në sediljen e shoferit, gruaja e tij në vendin e pasagjerit, ndërkohë që në shesh ndodhet fëmija i tyre 7-vjeçar së bashku me gjyshen.
Sapo sheh makinën e zezë të prindërve të tij, fëmija vrapon drejt tyre. Në të njëjtën kohë, një motoçikletë i afrohet makinës së zezë.
Dy vrasësit me pagesë mbajnë helmeta të errëta që mbulojnë tiparet e tyre. Ata qëndrojnë pranë derës së shoferit dhe qëllojnë ndaj shqiptarit. Dy plumba i prenë fillin e jetës. 32-vjeçari bie i vdekur. Përballë fëmijës së tij që qan “Babi”, raporton media greke “Mega Tv”
Gruaja e tij fillimisht humbet ndjenjat, zbret nga sedilja e pasagjerit dhe kalon në gjendje shoku. Nga njëra mbetet 32-vjeçari i vdekur nga ana tjetër gruaja e tij e mbuluar me gjak.
“Dritarja ishte pak e hapur dhe e qëlluan nga kjo vrimë. Prisnim të vinte fëmija dhe më pas pashë makinën që po vinte dhe e qëlluan”, tha bashkëshortja e viktimës.
Dy personat që ndodheshin në motor arritën të arratiseshin. Ndërkohë që autoritetet greke janë vënë në kërkim të tyre.