MENU
klinika

Analiza

Perëndimi ka shansin perfekt për të goditur Iranin!

23.05.2024 - 09:00

Iranianët nuk po “dynden” për të vajtuar vdekjen e Raisit: ata po festojnë për këtë ngjarje. Vdekja e presidentit, i njohur si “Kasapi i Teheranit”, u prit me fishekzjarrë dhe konsum pijesh alkoolike. Ashtu si Khamenei, edhe populli iranian ka monitoruar nga afër mënyrën e trajtimit të aksidentit nga regjimi dhe mënyrën sesi elitat janë kapluar nga paniku.

Shumë njerëz në Perëndim, nuk janë në dijeni të kaosit që shkaktoi brenda regjimit vdekja e presidentit iranian Ebrahim Raisi. Orët e fundit, kanë nxjerrë qartazi në pah cënueshmërinë e regjimit klerikal dhe të Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili sundon me një pushtet absolut.

Më shumë gjasë, Ayatollahu 85-vjeçar do ta shohë aksidentin që vrau Raisin si një “test” për atë që do të ndodhë pas vdekjes së tij, dhe mënyrën sesi do të zgjidhet çështja e pasardhësit të tij. Dhe parë në këtë këndvështrim, reagimi i regjimit ditët e fundit është tepër shqetësues.

Si pjesë e manifestit të tij “Faza e Dytë e Revolucionit Islamik” të publikuar në vitin 2019, Ayatollahu i moshuar i ka kaluar 5 vitet e fundit duke e “spastruar” regjimin, dhe fuqizuar një brez të ri absolutistësh ideologjikë, me synim përfundimin e projektin e tij të personalizimit të pushtetit për të garantuar një vazhdimësi e qetë dhe të rregullt, kur ai të ndërrojë jetë.

Udhëheqësi Suprem, e bëri këtë për të kontrolluar elitat, duke ditur mirë se pas vdekjes së tij mund të shfaqen përçarje. Dhe ç’është më shqetësuese: popullsia iraniane, e cila në masë dërrmuese kërkon ndryshimin e regjimit, mund të përpiqet ta shfrytëzojë vdekjen e Khameneit si një mundësi për të shkaktuar destabilitet, nxitur shembjen e regjimit dhe rrjedhimisht trashëgiminë e tij.

Për ta zbutur disi këtë skenar, procesi i spastrimit gjatë 5 viteve të fundit, ka krijuar një gjeneratë të re absolutistësh besnikë të Khameneit në çdo pozicion kyç, duke i dhënë plotësisht përparësi angazhimit ideologjik mbi përvojën apo ekspertizën teknike.

Emërimi de fakto i Raisit si president në qershor 2021, ishte pjesë e kësaj “Faze të Dytë”. Që atëherë, Udhëheqësi Suprem ka vendosur një brez të ri ekstremistësh në të gjitha pozicionet kryesore politike, ushtarake dhe burokratike, diçka të cilën Perëndimi e ka anashkaluar plotësisht, për shkak të fiksimit të tij për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës.

Synimi i regjimit në Iran, ka qenë të sigurojë mbijetesën e ideologjisë së Khameneit edhe pas vdekjes së këtij të fundit, dhe që të ketë një proces të rregullt mbi zgjedhjen e pasardhësit, nga fillimi deri në fund. Por trajtimi i aksidentit që i mori jetën Raisit, dhe vdekja e konfirmuar e tij, ka qenë gjithçka tjetër përveç një menaxhimi të kujdesshëm.

Që në fillim, fanatikët e rinj në krye të regjimit, kanë treguar një paaftësi të plotë:dështim në kontrollin e komunikimeve publike, mospërputhje me protokollet e mirë-përgatitura të emergjencës, dhe në fund u përfshinë nga paniku. Dhe kjo ka nxjerrë në pah dobësitë e mëdha të regjimit iranian.

Khamenei mund të ketë menduar se mbajtja si prioritet e angazhimit ideologjik mbi përvojën ose ekspertizën, do të ndihmonte për të kontrolluar elitat e tij. Në realitet, duket se kjo qasje e ka thelluar paaftësinë e regjimit, pasi grupit të ri të teknokratëve u mungojnë dukshëm aftësitë për të garantuar një vazhdimësi të qetë.

Khamenei, që e ka ruajtur mbijetesën e regjimit të tij islamik duke derdhur vazhdimisht gjak në rrugët e Iranit, do të jetë tashmë plotësisht i vetëdijshëm, se nëse elitat e regjimit e trajtojnë vdekjen e tij ashtu siç e kanë trajtuar atë të Raisit, atëherë projekti i tij mund të zhbëhet plotësisht.

Por siç thotë edhe shprehja e vjetër: humbja e njërit, nënkupton fitimin e tjetrit. Ndërsa kaosi i ditëve të fundit do të ketë shtuar me siguri zemërimin e Ayatollah-ut, ai e ka rritur njëkohësisht edhe moralin e popullit iranian. Ndaj shpërfillni propagandën e televizionit shtetëror iranian, që aktualisht po ri-qarkullon në mediat kryesore në Perëndim.

Iranianët nuk po “dynden” për të vajtuar vdekjen e Raisit: ata po festojnë për këtë ngjarje. Vdekja e presidentit, i njohur si “Kasapi i Teheranit”, u prit me fishekzjarrë dhe konsum pijesh alkoolike. Ashtu si Khamenei, edhe populli iranian ka monitoruar nga afër mënyrën e trajtimit të aksidentit nga regjimi dhe mënyrën sesi elitat janë kapluar nga paniku.

Dhe ata me siguri po besojnë gjithnjë e më fort se vdekja e Khameneit – dhe kaosi i mëvonshëm dhe i pashmangshëm që do të shkaktojë tek elita – do të krijojë mundësinë më të mirë për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë Republikës Islamike. Ky është një rast që duhet shfrytëzuar.

Ne duhet t’i mbështesim ambiciet demokratike të popullit iranian për t’i dhënë fund një regjimi që vret njerëzit e vet, që synon të zhdukë të vetmin shtet hebre në botë dhe që eksporton terror në mbarë botën. Në vend se t’i ofrojë ngushëllime regjimit – siç kanë bërë paturpësisht zyrtarët e Bashkimit Evropian – në diplomacinë e tij publike, Perëndimi duhet të përqendrohet tek populli iranian.

Ai duhet të përforcojë thirrjet ndaj popullit iranian për të rrëzuar Republikën Islamike. Njëherazi, qeveria amerikane dhe aleatët e saj duhet të marrin në konsideratë operacione të fshehta – si kibernetike ashtu edhe kinetike – për të thelluar ndarjet brenda elitës së regjimit, dhe për ta inkurajuar popullin iranian të ngrejë krye kundër regjimit. Një gjë është e sigurt: rënia e Republikës Islamike, do të jetë ngjarja më çliruese për popullin iranian, Lindjen e Mesme dhe për sigurinë globale.

Burimi: “Daily Telegraph”

Mark D.Wallace, drejtues i organizatës “United Against Nuclear Iran” dhe ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Kasra Aarabi, drejtore e kërkimeve mbi Gardën Revolucionare (IRGC) në këtë organizatë.