MENU
klinika

Mënyra për të rritur pensionet

Problematika që ka trashëguar ndër vite skema e pensioneve

31.05.2024 - 11:23

“Të rrisim mbështetjen për pensionistët, sepse marrin nën 150 euro një numër i konsiderueshëm. E kam thënë dhe na e thonë dhe ekspertët te pensionet bëni kujdes sepse është një peshë shumë e rëndë. Do hedhim një hap edhe në atë drejtim”. Ky ishte premtimi i kryeministrit Edi Rama dy ditë më parë kur prezantoi detajet nga rritja e pagave për administratën. Por që të hidhet një hap pozitiv dhe rritja të bëhet sa më shpejt, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli ka treguar një nga mënyrat. Ai tha për gazetën “SOT” se skema e pensioneve trashëgon një problematik shumë të madhe që është informaliteti në punë. Sipas Z.Çoçolit, nëse rregullohen pagat e trukuara dhe puna në të zezë do të kemi një rritje të pensionit. “Skema e pensioneve trashëgon një problematik shumë të madhe të faktit se ne kemi shumë kontribuues në këtë skemë me përfitues. Një numër i vogël gati në 1.1 me 1.2, është shumë më larg me raportet përfituese kontribuues të shteteve fqinj. Ky është problemi kryesor pasi ne kemi në nivele të larta informalitetin në punë, e në nivel më të lartë se Kosova apo Maqedonia e Veriut apo vendet fqinje. Është një çështje që duhet të rregullohet me sistem disipline të tregut të punës, të mos kemi më ato që ne i dimë tashmë, pagat e trukuara dhe të mos kemi njerëz që punojnë në të zezë. Vetëm këto mund të sistemojnë deri diku pjesën e një rritje të raportit përfitues dhe kontribuues. Fakti që trukohet paga ti merr me deklarim 60 mijë lekë të reja në muaj, kur ndërkohë në realitet ti merr 90 mijë dhe ky 30 mijësh nuk shkon në raportin tarifë mbi taksë e sigurimeve shoqërore, pjesa e kontributit të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Duke se është një përfitim dhe të punëmarrësit por kjo në fund përkthehet me një pension më të ulët. Deklarimi i pagës fiktive, dobëson skemën e pensioneve, dobëson shifrën e vërtetë të kontributeve, dobëson edhe pensionin e qytetarit kur të vij koha e marrjes së pensionit. Të gjitha këto janë faktor që e bëjnë deficitare skemën e pensionit”, tha Çoçoli.

Duhet reformë e re pensionesh

Fenomenin e nëndeklarimit të pagave, apo i mosdeklarimit fare të pagave që vijon në shumicën e bizneseve prej dekadash, përveçse po rrezikon të ardhmen e ekonomisë së vendit, i cili po sjell një situatë dramatike në skemën e pensioneve e kanë ngritur edhe më parë si problematikë ekspertë shqiptarë dhe të huaj, dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet fiskale dhe ekonomike. “Mbledhja e kontributeve është derivat i sundimit të ligjit dhe tatimet e taksat duhet të bëjnë detyrën e tyre jo vetëm për të punësuarit por edhe për punëdhënësit, për të respektuar ligjin”, thotë Ish ministri i Ekonomisë Zef Preçi. Pasojat e rënda të mos pagesës së kontributeve apo pagesës së pjesshme të tyre kanë nisur të ndjehen në xhepat e moshës së tretë, të cilët po përballen me pensione të ulta, madje edhe më të ulta se pensioni mesatar. “Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë kontribute që i kthehen pas punëmarrësit, por dhe skemat tona të sigurimeve nuk janë të kuptueshme për një pjesë të madhe të shoqërisë. Qytetarët duhet ta kuptojnë që duke kontribuar çdo muaj, ai do të ketë përfitime kur të dalë në pension, apo do marrë shërbime shëndetësore, por qytetari nuk e percepton sot dhe thotë më mirë disa para sot sesa të pres nesër. Mendoj se duhet një fushatë e madhe nga ISSH, për tu shpjeguar sesi ata përfitojnë duke kontribuar në skemë”, thotë eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj. Për shkak të vlerës së ulët të kontributeve apo të mospagimit fare të tyre, me mijëra qytetarë që do dalin në pension rrezikojnë të kenë të ardhme të varfër. Konkluzion i frikshëm mbështetet në të dhënat e vetë institucioneve shtetërore, pensioni vit pas viti po ulet ndjeshëm në raport me pagën mesatare që ka vendi, ndërkohë që nuk arrin as sa gjysma e rrogës minimale. “Ky alarm është lëshuar prej kohësh dhe qeveria po merr disa masa por janë në fazë fillestare dhe duhet ti përshpejtojë ato. Qeveria duhet të kishte ndërtuar një politikë me bazë më të gjerë për të luftuar informalitetin i cili është në të njëjtat nivele si përpara 10 vitesh. Tregu i fermerëve ka problematika jashtë këtij realiteti që po themi, dhe është edhe më keq se në sektorin jo bujqësor”, thotë Eduart Gjokutaj ekspert fiskal. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nga janari në qershor, pensionet e reja për qytetarët që kanë mbushur moshën janë vlerësuar mesatarisht 15,304 lekë, ose përafërsisht 38% më pak se paga minimale prej 40 mijë lekësh. “Mungesa e lidhjes mes pagës minimale dhe pensionit, ka bërë që pensioni të jetë një ndihmë ekonomike që në shumicën e rasteve nuk mbulon as ilaçet”, thotë Preçi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksperti 'zbardh' skemën e re që do përdoret

Çfarë do ndodhë më 1 tetor me pensionet

Shqipëria drejt një reforme të re pensionesh

Çfarë e sfidon skemën e pensioneve, sipas BB?

Ndizet sërish fitili i tensioneve Serbi-Kosovë

‘Ndalim’ i dinarit serb shkakton debate dhe frikë në Veri