Çmimet globale të grurit në fillim të kësaj jave u tërhoqën nga nivelet më të larta disamujore për shkak të thatësirës që mbizotëroi në Rusi. Ndonëse, në këtë vend filluan shirat, ato ishin në nivel të ulët dhe kërcënojnë të frenojnë të korrat e eksportuesit kryesor.
Temperaturat mesatare më të ftohta priten për Rusinë jugore në gjysmën e parë të majit, pas nxehtësisë rekord të prillit dhe ky ndryshim mund të jetë “çelësi” për shmangien e humbjeve të konsiderueshme të të korrave në mes të një pranvere jashtëzakonisht të thatë.
Rusia jugore, e cila zotëron më shumë se 30% të të korrave vjetore të grurit të vendit, përjetoi prillin e saj më të thatë në një dekadë, pasi reshjet arritën në vetëm një të katërtën e normales së muajit.
Një kombinim i tillë i thatë dhe i ngrohtë i prillit nuk është vërejtur në Rusinë jugore në të paktën tre dekada. Shembulli më i afërt ishte viti 2012, kur rendimenti i grurit shënoi performancën më të keqe të epokës post-sovjetike.
Konsulenca bujqësore ruse Sovecon dy javë më parë vlerësoi prodhimin e grurit në vitin 2024 në 93 milionë ton, afër niveleve të vitit të kaluar. Humbjet e të korrave në Rusi mund të jenë një ndihmë për furnizuesit e tjerë globalë të grurit, megjithëse alarm ende nuk është dhënë, pasi Rusia kohët e fundit ka eksportuar vëllime rekord. Vendi ka dyfishuar prodhimin e grurit gjatë 20 viteve të fundit dhe tani regjistron një të pestën, ose më shumë të të gjitha eksporteve të grurit.
Vite më parë, prodhimi rus i grurit kishte një reputacion të paparashikueshëm për shkak të luhatjeve të paqëndrueshme të rendimentit, megjithëse rezultatet kanë qenë më të qëndrueshme dhe më të larta vitet e fundit.