Urbanisti dhe pedagogu Gentian Kaprata ka analizuar situatën me ndërtimet në kryeqytet, duke vënë theksin te frenimi i rritjes së shitjeve të apartamenteve.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Kaprata u shpreh se trendi i viteve të fundit është vala e parave nga krimi, të cilat “duhet të pastrohen”. Për këtë, sipas tij personat me këto para i pastrojnë në të vetmen mënyrë që dinë, të ndërtojnë pallate dhe kulla.
Sipas tij ky “frenim” nuk do të jetë ndalimi, por mund të ketë ardhur si pasojë e një institucioni ndërkombëtar që ka drejtuar vështrimin drejt situatës që ka tejkaluar kushtet e një tregu normal.
“Trendi i viteve të fundit është vala e parave nga krimi, ku përfshihen si krimi në sektorin privat, por edhe atë publik. Të dyja kanë shumë para për të pastruar. Ata i pastrojnë në mënyrën e vetme që dinë, ndërtojnë pallate dhe kulla. Nuk ka mbaruar, mund të jetë një sy evropian ose një institucion që ndjek situatën.
Nuk mund të themi se tregu është i pastër. Ka elementë të tregut gjithsesi. Mekanizmi që është sot është jashtë tregut. Janë spekulime të mirëfillta, nuk ka asgjë të re. Shpresojmë që të jetë fundi i valës së ndërtimeve. Çfarë kanë vendosur ata, do vijojnë të pastrojnë para. Ky frenim vjen si pasojë e mungesës së parave të pista. Sipas mendimit tim një institucion ka ngritur vështrimin, jo SPAK, është shumë i vogël për këtë. Ka shumë institucione ndërkombëtare që merren me këto çështje”, tha ai.