MENU
klinika

Skema e ‘mashtrimit’ me mikrokreditë

Sejko: S’kam informacion zyrtar nga SPAK për të parë nëse ka shpërdorim detyre

08.05.2024 - 17:28

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko deklaron se nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme ose SPAK për një hetim ndaj tij për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me frenimin e skemave të dyshuara të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Në një konferencë për median Sejko tregoi masat që ishin marrë.

“Problematika lidhet me mbledhjen e kredive të këqija, rreth viteve 2010, pas krizës së 2008. Për të ulur kreditë me probleme ne bëmë një plan emergjent, që përfshinte një sërë masash dhe një nga pikat ishte edhe fshirja e kredive me probleme.

Ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme ose SPAK, për të parë nëse ka shpërdorim detyre. Ajo që kemi bërë është që kemi marrë masat sipas kërkesave ligjore, shkeljet e konstatuara ishte me provigjonet, me raportimin financiar, që nuk kanë lidhje me hetimin financiare, sepse nuk e hetojmë mashtrimin financiare.

Ne i kemi pezulluar licencën, nuk ja kemi hequr, sepse do ti nxirrte të gjithë klientët jashtë regjistrit të kredive që administrohet nga BSH, kjo do të krijonte precedentin që kreditë falen dhe nuk paguhen, do të rriste kreditë me probleme, por do të sillte probleme ku ata që kanë paguar do të klasifikoheshin klientë të këqij. Revokimi i licencës nuk zgjidh problemin e klientëve, sepse borxhi është titull ekzekutiv që kalon përmes gjykatës dhe zgjidhet me procedura përmbarimore” tha Sejko.