MENU
klinika

“Nuk kemi çfarë të humbim me Spanjën, me pak fat…”

Asani dhe këpucët me SuperMario: Janë bërë më të famshme se unë

23.06.2024 - 13:38

Jasir Asani beson se Shqipëria duhet të luajë shansin e vet përballë Spanjës dhe shpreson që me pak fat, kuqezinjtë t’ia dalin të marrin rezultat kundër iberikëve. Sulmuesi i kombëtares shqiptare dha një prononcim për faqen e UEFA-s, duke u ndalur jo vetëm te kjo ndeshje, por edhe te këpucët me dizajnin e veçantë që u bënë hit në rrjete sociale gjatë ndeshjes me Kroacinë.

“Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në Euro 2024, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë.

Ne e kemi analizuar Spanjën dhe i kemi studiuar. Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim.

Këpucët me SuperMario? I kam bërë këto këpucë gjashtë apo shtatë muaj më parë, por i kisha ruajtur për një moment special. Nuk i përdora ndaj Italisë, ndaj duhej t’i përdorja ndaj Kroacisë. Dëshiroja të kisha një dizajn argëtues ndaj zgjodha SuperMarion. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme në Euro 2024 se sa unë”, tha Asani.