MENU
klinika

Rekurs për vulën?

Basha: Do garoj në 2025-ën me logon e PD ose…!

21.06.2024 - 16:38

Lulzim Basha tha në një intervistë për Euronews Albania se grupimi që ai përfaqëson nuk e ka vendosur ende nëse do krijojë një parti të re, por do të çojnë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e gjykatës që i dha vulën e PD Sali Berishës.
Ai u shpreh se pavarësisht atij vendimi shqiptarët do të kenë një alternativë qeverisëse në zgjedhjet e 2025, ku siç tha do të garojë, qoftë me logon e PD nëse i kthehet ligjshmëria ose si një alternativë tjetër.
“S’kemi marrë vendim për parti të re, do çojmë rekurs në Gjykatë të lartë se s’mund të lejojmë që padrejtësia të bëhet normë në këtë vend. Është një shkeljen e ligjit dhe produkt i një pazari mes Ramës dhe Berishës, ky i fundit mjaftohet me vulën.

Do ndjekim gjithçka në përputhje me parimet tona, shqiptarët do ta kenë alternativën në zgjedhje, pa diskutim që do garojmë në zgjedhje. Rekursi është betejë për ligjshmërinë, nuk jemi duke pritur, as nuk do presim, kemi shpalosur programin. Nëse është vendosur ligjshmëria do ta kërkojmë votën me logon e PD nëse jo me alternativë tjetër”, tha Basha.

Basha zbulon çfarë do bëjë nëse Gjykata e Lartë nuk vendos për vulën para zgjedhjeve

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se do të vijojnë betejën për rimarrjen e vulës së PD-së, por shtoi se nëse Gjykata e Lartë nuk merr një vendim deri para zgjedhjeve, atëherë ata e kanë gati alternativën për zgjedhjet e vitit 2025.

Komentet Basha i bëri teksa ishte i ftuar në Euronews Albania, ku tha se do të prezantohen në zgjedhjet e vitit 2025 me çdo formë dhe mënyrë të mundshme.

Ai tha se grupimi politik që ai drejton është i pari nga forcat politike që ka shpalosur programin.

“Do ndjekim diçka që është në përputhje me bindjet tona. Do të bëjmë betejë për ligjshmërinë, por në çdo rast ne do të bëjmë gati alternativën. Shqiptarët do e kenë gati alternativën në zgjedhje. Asnjëherë nuk kemi pritur ne, as nuk do të presim. Jemi e vetmja forcë politike që kemi shpalosur programin.

Thelbi është që ne çdo ditë do të jemi me njerëzit. Do prezantohemi me një alternativë. Ose me PD nëse është vendosur ligjshmëria, ose në çdo formë dhe mënyrë tjetër. Shqiptarët nuk votojnë për një logo ose për një fantazmë apo për idhujtari. Shqiptarëve do u kërkojmë të votojnë për veten e tyre, për një program që merret me hallet e tyre.

Kjo është diferenca me partitë e vjetra. Kultura e re politike është që ti japim fund kësaj idhujtarie që e shikon politikën si ndeshje futbolli. Nuk mund të bëhesh tifoz në politikë. Duhet të mendosh se çfarë është më e mira për veten tënde, për fëmijët e tu apo për të ardhmen tënde”, tha Basha.