Është zbardhur dëshmia në polici e dy punonjësve të hotelit Greccia, të cilët akuzohen se ndihmuan Gerald Shehun të fshihte trupin e recepsionistit, Eraldo Nevruzi, i cili u ekzekutua nga 43-vjeçari në një nga dhomat e stafit.
Mësohet se 33-vjeçari Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti kanë deklaruar se kanë qenë të detyruar të ndihmonin bashkëpronarin e hotelit për të zhvendosur trupin nga dhoma tek bagazhi i mjetit të Gerald Shehut.
Sipas dy punonjësve, ky i fundit i ka kërcënuar se do t’i vriste nëse do të tregonin.
Dyshohet se persona të tjerë mund të jenë përfshirë duke ndihmuar 43-vjeçarin në fshehjen e krimit.
Po merren në pyetje punonjësit e hotelit për të zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Gjetja e trupit
Trupi i 31-vjeçarit, Eraldo Nevruzi, i cili dyshohet se u vra nga Gerald Shehu, dhëndri i pronares së hotelit “Greccia” në Dhërmi pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor), u gjet ditën e sotme (7 Qershor) në një gurore në afërsi të fshatit Vuno.
Ka qenë vetë autori i dyshuar i krimit të rëndë që gjatë marrjes në pyetje në Greqi, ku edhe u arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për të udhëtuar në Spanjë me destinacion Anglinë, që ka treguar se ku kishte hedhur trupin e viktimës.
43-vjeçari Gerald Shehu, sipas uniformave blu, “zhduku” trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit i ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, 33-vjeçari Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti.
Dyshohet se 31-vjeçari është qëlluar për vdekje nga Gerald Shehu dhe më pas trupi i tij është mbështjellë nga tre personat duke e nxjerrë jashtë ambienteve të hotelit.