MENU
klinika

Ja si t’i menaxhoni!

Goditjet nga dielli/ “Nëse s’trajtohen, mund të jenë fatale”

25.06.2024 - 13:19

I nxehti i verës shoqërohet me euforinë e pushimeve të stinës, lehtësimin se tashmë kemi shpëtuar “nga moti i keq”, siç priremi të cilësojmë reshjet e dimrit. Por nuk duhet harruar se stina e verës gjithashtu mund të përbëjë një mot të dëmshëm për shëndetin tonë.

Në një intervistë, mjeku i familjes, Rovin Laro, tregon se ekspozimi ndaj temperaturave të larta të ambientit prin simptoma dhe sindroma nga ato të karakterit të lehtë e deri në urgjenca mjekësore. Më tej, ai jep disa këshilla të vlefshme sesi mund të mbrohemi nga temperaturat e larta të këtyre ditëve.

Mund të na tregoni se cilat janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga i nxehti përvëlues?

Popullata më e riskuar përbëhet nga personat mbi 65 vjeç, fëmijët sidomos nën 10 vjeç, të sëmurët kronikë, të kequshqyerit, personat që punojnë në ndërtim ose punë të tjera të rënda fizike, personat që merren me stërvitje eksesive, personat të ekspozuar në temperatura të larta në funksionet e tyre profesionale, si për shembull bukëpjekësit.

Çfarë është rraskapitja nga i nxehti dhe goditja nga i nxehti?

Në këtë kuadër veçojmë dy tablotë më tipike dhe më prioritare për t’u trajtuar: Rraskapitja nga i nxehti dhe goditja nga i nxehti (Heat Stroke). Rraskapitja nga i nxehti përbën një kuadër klinik të moderuar, ku tipikisht shoqërohet me: djersitje të shprehur, lëkurë të zbehtë, ndjesi të vjellash, marramendje dhe ngërçe muskulore veçanërisht në gjymtyrët e poshtme. Ngërçet muskulore të njohura në mjekësi si krampet muskulore përbëjnë një shenjë realisht dalluese të rraskapitjes nga i nxehti. Kjo i dedikohet mekanizmit të përcaktuar si rraskapitja nga varfërimi sodik, e thënë thjesht djersitja progresive gjatë ekspozimit nga temperaturat e larta çon në humbje paralele të ujit dhe kripërave nga organizmi. Kjo situatë dehidratimi cenon tkurrjen muskulore dhe shkakton ngërçet, që referohen nga pacientët si jo pak të dhimbshme.

Si mund të shmangim rraskapitjen nga i nxehti?

Duhet theksuar se parandalimi nëpërmjet shmangies së ekspozimit në orën e pikut të të nxehtit është thelbësor për të evituar këtë kuadër patologjik. Gjithashtu, përdorimi i kremrave të lëkurës për mbrojtjen ndaj diellit, i veshjeve të lehta dhe prej materiali të freskët në ngjyrë të bardhë ose sa më të hapur, vendosja e kapelave dhe syzeve të diellit, mbajtja e shisheve me ujë të freskët me vete janë disa masa që duhen marrë në konsideratë në rast se nuk mund të shmangim ekspozimin.

Si mund ta menaxhojmë situatën, cilat janë hapat që duhet të ndjekim?

Por menaxhimi i duhur kur gjendemi përballë këtyre simptomave është transferimi në ambiente të freskëta, kontakti me veshje të lagura për të luftuar dehidratimin dhe konsumi i ujit apo lëngjeve të freskëta, por jo shumë të ftohta. Gjithashtu duhet pasur parasysh në përdorimin e kondicionerëve në ambientet e brendshme që temperatura e përcaktuar duhet të dallojë në maksimumin e tolerueshëm 10 gradë celsius nga temperatura ambientale. Gjithashtu, nuk duhet marrë njëherësh sasi e madhe lëngjesh në rast të simptomave të mësipërme, sepse përpjekjet për ta rikuperuar shpejt pacientin mund të thellojnë simptomatikën.

Cilat janë shenjat që na tregojnë një goditje nga dielli dhe çfarë duhet të bëjmë në këto raste?

Kuadri klinik i goditjes nga dielli është mjaft serioz dhe lipset detyrimisht asistenca mjekësore profesionale. Shenja e saj kryesore është temperatura tepër e lartë trupore mbi 40 gradë celsius, gjë që përbën edhe diferencën e parë me rraskapitje nga i nxehti ku temperatura trupore është rreth 38 gradë celsius. Shenjat e tjera klinike janë skuqje dhe nxehtësi të lëkurës, ulje të presionit të gjakut me rrahje të shpeshta dhe të shpejta të zemrës, çrregullime të shprehura të vetëdijes nga konfuzioni mendor deri në episode të fikti. Prandaj, nëse hasni raste të tilla në përditshmëri duhet lajmëruar menjëherë urgjenca.

Cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga rraskapitjet apo goditjet nga dielli?

Të sëmurët kronikë janë grupi më i riskuar i popullatës. Personat që vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, diabeti, sëmundjet e zemrës kanë një rrezik më të lartë për jetën, sepse pavarësisht trajtimit, i cili mund ta ketë ekuilibruar sëmundjen kronike, situatat e ekspozimit ndaj të nxehtit e dekompensojnë gjendjen. Praktikisht djersitja e shprehur që shoqëron këto kondita të ekspozimit ndaj të nxehtit çon në ulje të lëngjeve të organizmit. Rrahjet e shpeshtuara të zemrës tentojnë të kompensojnë këtë situatë për furnizimin me gjak në mënyrë sa më optimale të gjithë organizmit.

Por në terren të një zemre të sëmurë (personat me insuficiencë kardiake, personat me arterie koronare të ngushtuara ose të stentuara, me kardiomiopati apo probleme valvulare të zemrës), ky mekanizëm kompensator çedon dhe çon në gjendje shoku. Për analogji tek diabetikët dekompensimi ndodh, sepse falë gjendjes së stresit që gjendet organizmi në kushtet e temperaturave të larta, nivelet e sheqerit në gjak priren të rriten edhe më tepër.

Mund të na përmendni komplikacionet e mundshme?

Shpesh në kushte të tilla pacientët përfundojnë dhe në reanimacion e deri në vdekje, veçanërisht nëse vuajnë nga më shumë se 1 sëmundje kronike. Vlen për të cituar se edhe në kushtet e individit të shëndetshëm, rraskapitja apo goditja nga i nxehti të patrajtuara çojnë me shumë gjasë në hemorragji cerebrale, gjendje shoku dhe në përfundim fatal. Rrezikshmëri goxha më të shtuar paraqet i nxehti me përqendrim të madh të lagështirës në ajër. Lagështira e madhe e ajrit, sidomos në individët që vuajnë nga astma bronkiale çon në insuficiencë respiratore akute, pra pamundësi të mushkërive për të kryer procesin jetik të frymëmarrjes.

Cilat janë këshillat tuaja për të pasur një verë sa më të qetë dhe larg episodeve të sipërpërmendura?

Për t’i shtuar pak ngjyra tablos gri të fakteve të sipërcituara më duhet të përmend se i nxehti i verës është një realitet i pashmangshëm dhe i përsëritshëm, sidomos në kushtet e sotme të ngrohjes globale. E në këtë pikë merr vlerë proverbi primar i mjekësisë: “Më mirë të parandalosh, sesa të kurosh”. Rigorozitet i këshillave ul ndjeshëm simptomat e shkaktuara nga i nxehti. Të sëmurët kronikë duhet të jenë në kontakt të ngushtë me mjekun e familjes dhe atë specialist, si dhe të ripërshtatin terapinë e tyre, nëse është e nevojshme në stinën e verës.

Në shfaqjen e simptomave që nuk menaxhohen nga masat e këshilluara duhet telefonuar pa humbur kohë urgjenca sepse menaxhimi në kohë ul ndjeshëm rrezikun e ndërlikimeve. Pra, është e udhës që ta kemi ndërmend numrin 127 me ekspozimin e temperaturave të larta sapo fillojmë të ndjejmë shqetësimin. Në epilog të kësaj interviste, dua të citoj edhe vlerën e pamohueshme të plazhit për të përballuar temperaturat e larta. Ky i fundit përbën edhe motivin kryesor sepse pavarësisht gjithçkaje më sipër, do ta duam gjithmonë verën. /Voltiza Duro