MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Në 12 Korrik, “bie” Qeveria…

25.06.2024 - 12:35

Duke parë rrjedhjen e njerëzve (dhe me të drejtë) tek rrugica, duket se ish-lideri ka vendosur ti thërrasë ata në bulevardin e Tiranës. Duhet “testuar” pjesëmarrja, por edhe motivimi i tyre. Lajmin e ka bërë vetë të ditur ish-lideri, pasi ka mbajtur një fjalim “programatik” përmes “fb”, kryesisë të mbledhur në seli. “Në 12 Korrik, ne do të rrëzojmë narkoshtetin, do të detyrojmë Edi Ramën të largohet”. Sa qesharake dhe sa e neveritshme duket shprehja standarde, e cila përdoret edhe tani pasi mori “vulën”. Berisha thirri protestën “kombëtare” mes vapës dhe hamullisë, pasi dështoi tek rrugica, tek bashkia, tek Parlamenti, dhe tani kërkon të shohë, se si do të katandiset partia, në disa qindra vetë.

“Në 12 Korrik qeveria bie, në 12 Korrik ne rrëzojmë Ramën nga pushteti, o sot, o kurrë”. Ishin këto britmat e mbështetësve të rrethit të ngushtë të Berishës, që kanë disa ditë që duan të karikojnë mbështetësit e tyre edhe në rrethe. Edhe pse e di fare mirë se, Edi Rama nuk rrëzohet edhe për 100 vjet me protesta dhe molotovë, edhe pse e di fare mirë se faktori ndërkombëtar i ka dënuar tubimet e dhunshme, dhe ka dënuar aktet e demonstruara gjatë protestave, Berisha sërish kërkon ta shtyjë partinë e tij (e theksoj partinë e tij) drejt shkatërrimit total.

Një politikani plot përvojë, plot eksperiencë, dhe plot dështime elektorale, nuk i falet të ndërsejë mbështetësit drejt dhunës. Qeveria bie, kur flet vota e lirë. Qeveria bie, kur nuk ka mbështetje të brëndshme dhe të jashtme, qeveria bie kur mbulohet nga skandale, qeveria bie kur vijnë sinjalet nga SHBA-ja dhe BE-ja se, “bashkëpunimi me ju mori fund”. Por kur të gjitha këto nuk ekzistojnë, dhe kur mbështetja e brëndshme dhe më kryesorja, ajo e faktorit ndërkombëtar, janë më të fuqishme se kurrë, atëhere opozita mbetet të jetë më tepër se e pabesueshme në premtimet e saj.

Duke ngopur mbështetësit e tij me “lugën bosh”, duke u stërthënë atyre se “ne jemi fitorja, ne jemi qeverisja e së nesermes, ne do të detyrojmë Ramën të largohet, do kemi qeverisje teknike”, atëhere mbetet të themi se “kjo opozitë nuk ka shanse të ndryshojë as vehten”. Problemet e shumta që kanë kapluar opozitën e përfaqësuar fatkeqësisht akoma nga PD, mbetja e partive të vogla akoma nën hijen e saj, si dhe trembja e të rinjve për ti dalë ballazi kundër pengmarrësit të asaj partie, ka gjasa ta “zhdukë” nga lista elektorale në 2025 atë parti, si pretenduese për të ardhur ndonjëherë në pushtet.

Ajo që mbetet e pandryshueshme, është stradegjia e vjetëruar e Berishës, “dhuna dhe vetëm dhuna” si rruga e vetme që ai njeh, për të ardhur në pushtet. Mosemancipimi politik i asaj partie, edhe pas 34 vitesh tranzicioni, ka shuar përfundimisht shpresat e anëtarësisë së përgjegjshme në bazë. Marrja e vulës, vetëm sa ka shtuar problemet e asaj force politike. I gjendur mes udhëkryqeve të mëdha, mes dilemave dhe joshjeve që po u bën Berisha së fundi, grupimi i Bashës dhe pjesa dërrmuese e mbështetësve të tij, e kanë të pamundur të vendosin mbi fatin e asaj partie.

Ti mashtrosh njerëzit e tu, se “qeveria do të bjerë , ne do të marrim pushtetin”, vetëm e vetëm sepse duhet parë pjesëmarrja në bulevard, është dilentantizëm politik. Ndoshta kaq vlen për të kuptuar qartazi faktin se, kjo opozitë dhe kjo PD, nuk vjen kurrë në pushtet. Sepse pushteti nuk është “pjepër” që e ble në pazar, por është peshë dhe përgjegjësi e madhe që ta beson vota e lirë e popullit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN