MENU
klinika

Marrëveshjet që kanë frikësuar amerikanët

Një ‘pakt makthi’/ Vizita e Vladimir Putin në Korenë e Veriut alarmon Perëndimin

19.06.2024 - 18:47

Rusia dhe Koreja e Veriut po zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik: Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti për një vizitë dy-ditore në Korenë e Veriut, hera e parë që nga viti 2000, kur ai mori detyrën. Të martën, Agjencia Koreane e Lajmeve publikoi tekstin e Putinit duke falënderuar Phenianin për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës. Afrimi i dy vendeve nën sanksionet perëndimore ka shkaktuar shqetësim në Perëndim, thekson “CNN”. Delegacioni i Putinit përfshin ministra të shumtë, ndër ta edhe ministri i ri i Mbrojtjes Andrej Belousov dhe Denis Manturov, zëvendëskryeministri i parë për sektorin e mbrojtjes, raporton britanikja “The Guardian”. Për Putinin, është një udhëtim i rrallë jashtë vendit, veçanërisht pas fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022 dhe lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar për dëbimin e fëmijëve nga Ukraina në Rusi, dhe për Kim Jong-un kjo është vizita e parë e një lideri të huaj që nga koha e pandemisë.

Lidhjet mes vendeve

SHBA, Koreja e Jugut dhe vende të tjera kanë akuzuar Korenë e Veriut për ofrimin e ndihmës ushtarake në shkallë të gjerë për Rusinë muajt e fundit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kohët e fundit pretendoi se kjo ndihmë municioni, së bashku me dronët iranianë, ndihmuan ushtrinë ruse të ngrihej në këmbë. Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, tha për Bloomberg se shërbimet e tyre kanë identifikuar të paktën 10,000 kontejnerë transporti të dyshuar se mbanin municion artilerie dhe armë të tjera të Koresë së Veriut në Rusi. Mund të jenë deri në 4.8 milionë granata. Midis gushtit dhe shkurtit, Pheniani i dorëzoi Rusisë rreth 6700 kontejnerë, me rreth tre milionë copë predha artilerie të kalibrit 152 mm ose më shumë se 500 mijë predha për raketahedhës me shumë fuçi të kalibrit 122 mm, njoftoi më herët Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut. Në këmbim, Rusia besohet se po ndihmon Phenianin të zhvillojë programin e saj satelitor, me mbështetje ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Putin dhe Kim Jong-un u takuan shtatorin e kaluar në Vladivostok, ku ata vizituan një fabrikë për prodhimin e avionëve luftarakë modernë dhe Kozmodromin Vostochny.

“Pakti i makthit”

Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësim të hënën. “Ne nuk jemi të shqetësuar për udhëtimin e Putinit, ne jemi të shqetësuar për afrimin e këtyre dy vendeve sepse mund të ndikojë në sigurinë në gadishullin Korean”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se të dy udhëheqësit do të nënshkruanin një “marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik” që do të përvijojë bashkëpunimin e ardhshëm dhe do të merret me “çështjet e sigurisë”, njoftoi në një konferencë shtypi ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov. Ai theksoi se marrëveshja nuk është e drejtuar kundër vendeve të tjera, por synimi i saj është të sigurojë një stabilitet më të madh në Azinë Verilindore. Marrëveshja e re për bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës duhet të zëvendësojë marrëveshjet e nënshkruara nga Moska dhe Pheniani në 1961, 2000 dhe 2001. Analistët thonë se çdo marrëveshje e re që do të nënshkruhet ka shumë të ngjarë të lidhet me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje.

Alarm në SHBA

Koreja e Veriut mund të furnizojë Rusinë me predha të lartpërmendura, por edhe raketa antitank dhe raketa tokë-ajër, si dhe pushkë, raketahedhës , mortaja dhe predha. Ekspertët e kontrollit të armëve thanë se fragmente të raketës balistike me rreze të shkurtër veprimi Hwasong-11A u gjetën pas sulmeve ajrore ruse në disa qytete të Ukrainës. Për rekord, raketat e serisë Hwasong-11° kanë një shkallë të lartë saktësie dhe janë të vështira për t’u rrëzuar. SHBA nuk mund të mos shqetësohet për intensifikimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. “Ne besojmë- tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller gjatë një konference për shtyp- se thellimi i bashkëpunimit midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është diçka që duhet të jetë një shqetësim i madh për këdo që është i interesuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean”.