MENU
klinika

"Qëllimi ynë është…"

Orbani njofton për krijimin e aleancës së re në PE

30.06.2024 - 15:45

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njoftoi se dëshiron të formojë një aleancë të re në Parlamentin Evropian, së bashku me partinë e ekstremit të djathtë nga Austria dhe me grupin centrist çek të ish-kryeministrit Andrej Babish.

“Ne kemi marrë përgjegjësinë për lansimi e kësaj platforme të re, këtij fraksioni të ri. Dua ta bëj të qartë se ky është qëllimi ynë”, tha kryeministri nacionalist hungarez gjatë një konference të përbashkët me udhëheqësin e partisë austriake, Partia e Lirisë (FPOe), Herbert Kickl, dhe Babish nga partia ANO.

Aleanca e re, e prezantuar me emrin “Patriotët për Evropën”, do të duhet të marrë mbështetjen e partive nga katër shtete të tjera në mënyrë që të mund të regjistrohet si grup në Parlamentin Evropian.

“Një epokë e re po nis dhe pikë së pari ndoshta moment përcaktues për këtë epokë të re është krijimi i një fraksioni të ri politik evropian që do të ndryshojë politikat evropiane”, tha Orban.

Tre liderët nënshkruan “manifestin patriotik”, duke premtuar “paqe, siguri dhe zhvillim” në vend të “luftës, migrimit dhe stagnimit”, që sipas Orbanit, ka sjellë “elita e Brukselit”.

Hungaria të hënën merr kryesimin gjashtëmujor të presidencës të BE-së.

Gjatë udhëheqjes së presidencës, Hungaria është zotuar se do të shtyjë përpara “politika të forta evropiane”, nën moton “Bëjeni Evropën të madhe sërish”, një moto e ngjashme e përdorur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, një mik i mirë i Orbanit.

Partia Fidesz e Orbanit ishte pjesë e Partisë Popullore Evropiane – grupit më të madh parlamentar të BE-së – deri në vitin 2021, kur u tërhoq nga ky grup, pas akuzave të bllokut evropian për përkeqësimin e demokracisë në Hungari.

Partia FPOe e Kickl është pjesë e grupit Identiteti dhe Demokracia, ku bëjnë pjesë edhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, dhe Liga nga Italia.

Lëvizja centriste ANO e ish-kryeminsitrit dhe euroskeptikut Babish njoftoi javën e kaluar se do të largohej nga grupi Renew.

FPOe ka gjashtë eurodeputetë, ANO shtatë dhe Fidesz 11./REL