MENU
klinika

Mjeku kardiokirurg jep këshillat

Si të mbani nën kontroll tensionin e lartë të gjakut

18.06.2024 - 13:51

VOLTIZA DURO/ Rritja e temperaturave përgjatë këtyre ditëve ndikon në luhatjen e vlerave të presionit të gjakut. Por, duhet pasur parasysh që një pjesë e pacientëve mund të përjetojnë edhe kriza hipertensive, që mund të rezultojnë edhe fatale.

Hipertensioni apo i njohur ndryshe si tensioni i lartë mund të shkaktojë probleme nga më të ndryshmet, madje mund edhe të vrasë. Në një intervistë, mjeku kardiokirurg Sabjan Memishaj tregon se pasojat e një tensioni të lartë të patrajtuar variojnë nga një paaftësi, deri në një sulm në zemër apo goditje në tru. Trajtimi dhe ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të hipertensionit.

Çfarë është hipertensioni dhe cila është rrezikshmëria që mbart?

Tensioni i lartë është një faktor rreziku jo vetëm për sëmundjet e zemrës. Tensioni i lartë, apo thënë ndryshe hipertensioni, shpeshherë konsiderohet si një vrasës i ngadaltë dhe i heshtur, pasi shenjat duan kohë të shfaqen, ndërkohë që vetë sëmundja mund të ketë vite që ka filluar të dëmtojë shëndetin tuaj. Pasojat e një tensioni të lartë të patrajtuar variojnë nga një paaftësi, në një cilësi të dobët jetese e madje edhe në një sulm në zemër (atak kardiak). Mund të na sqaroni se çfarë ndodh nëse nuk trajtohet tensioni i lartë? Si paraqitet incidenca e vdekshmërisë nga hipertensioni? Pothuajse gjysma e pacientëve, të cilët nuk e trajtojnë hipertensionin vdesin nga sëmundje të zemrës, që lidhen me një qarkullim jo të mirë të gjakut (sëmundjet ishemike të zemrës), ndërsa një e treta vdesin nga goditjet në tru.

Çfarë dëmtimesh mund të sjellë në zemër hipertensioni?

Zemra pompon gjak në të gjithë trupin. Tensioni i lartë i pakontrolluar mund ta dëmtojë zemrën në një sërë mënyrash të tilla si: Sëmundja e arterieve koronare, e cila prek arteriet që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës. Arteriet e ngushtuara nuk e lejojnë gjakun të qarkullojë lirshëm. Në momentin që gjaku nuk shkon lirisht në zemër, pacienti mund të ndiejë dhimbje në kraharor, një atak kardiak apo ritëm jo të rregullt të zemrës (aritmi). Gjithashtu, mund të shkaktojë zmadhim të anës së majtë të zemrës. Tensioni i lartë e detyron zemrën të sforcohet më shumë se zakonisht për të pompuar gjakun në pjesën tjetër të trupit. Ky sforcim shkakton trashjen ose zmadhimin e ventrikulit të majtë (left ventricular hypertrophy). Këto ndryshime e kufizojnë aftësinë e ventrikulit të majtë për të pompuar gjakun në trup. Kjo gjendje rrit rrezikun për atak kardiak, pamjaftueshmëri të zemrës dhe vdekje të papritur kardiake. Gjithashtu, tensioni lartë shkakton insuficience kardiake. Me kalimin e kohës presioni i lartë i gjakut e sforcon muskulin e zemrës dhe e dobëson atë. Kjo situatë çon në pamjaftueshmëri të zemrës.

Po në tru, çfarë mund të shkaktojë një tension i lartë?

Tensioni i lartë shkakton edhe dëmtime në tru si Iskemia e përkohshme cerebrale. Në disa raste kjo quhet goditje e vogël ne tru. Kjo gjë ndodh nga një ndalim i përkohshëm i gjakut në tru, i shkaktuar nga ateroskleroza, ose nga një koagul gjaku, që mund të vijë si pasojë e një tensioni të lartë. Një atak iskemik i përkohshëm është shpesh një paralajmërim që pacienti është në rrezik të lartë për një goditje në tru. Goditja në tru ndodh kur një pjesë e trurit privohet nga oksigjeni dhe elementet ushqimore, duke shkaktuar kështu vdekjen e qelizave të trurit. Tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë goditje në tru, duke dëmtuar dhe dobësuar enët e gjakut të trurit nëpërmjet ngushtimit apo çarjes së tyre. Gjithashtu, mund të shkaktojë edhe demencë, e cila është një sëmundje e trurit, që shkakton problem me të menduarit, të folurin, të arsyetuarit, kujtesën, pamjen dhe lëvizjen. Ka një sërë faktorësh, që shkaktojnë demencën. Demenca vaskulare psh., mund të rezultojë si pasojë e ngushtimit dhe bllokimit të arterieve që furnizojnë me gjak trurin. Gjithashtu mund të shkaktohet nga goditja në tru, e cila në vetvete shkaktohet nga ndërprerja e qarkullimit të gjakut drejt trurit. Në secilin nga këto raste, tensioni i lartë mund të jetë shkaktari. Dua të theksoj se hipertensioni mund të sjellë edhe paaftësi të lehtë të komunikimit. Kjo situatë është një fazë tranzicioni e ndryshimeve në të kuptuarin dhe memorien që vijnë me moshën dhe është një nga problemet kryesore të shkaktuara nga sëmundja e alzaimerit, por që njëkohësisht mund të shkaktohet edhe nga bllokimi i enëve të gjakut që vjen nga tensioni i lartë.

Cilat janë organet e tjera që dëmtohen nga hipertensioni?

Hipertensioni dëmton veshkat. Veshkat filtrojnë lëngjet dhe mbetjet e tepërta nga gjaku. Tensioni i lartë mund të dëmtojë enët e gjakut, të cilat shkojnë drejt veshkave dhe atyre që gjenden brenda veshkave, duke shkaktuar në këtë mënyrë disa lloje të sëmundjeve të veshkave. Diabeti kur i mbishtohet tensionit të lartë, mund ta përshpejtojë dëmtimin e enëve të gjakut.

Cilat janë komplikacionet që mund të shfaqen?

Një ndër komplikimet që shkakton tensioni i lartë i pakontrolluar ose i trajtuar në mënyrë joefektive është dëmtimi i arterieve. Arteriet e shëndetshme janë fleksible, të forta dhe elastike. Shtresa e tyre e brendshme është e lëmuar në mënyrë që gjaku të qarkullojë lirshëm për të furnizuar organet jetësore dhe indet me oksigjen. Ndërkohë hipertensioni mund të shkaktojë arterie të dëmtuara dhe të ngushtuara. Tensioni i lartë mund të dëmtojë qelizat e shtresës së brendshme të arterieve. Kur yndyrat e dietës suaj ushqimore futen në sistemin e qarkullimit të gjakut, ato grumbullohen në arteriet e dëmtuara. Si përfundim, muret e arterieve e humbasin elasticitetin e tyre duke e limituar në këtë mënyrë qarkullimin e gjakut në trup. Hipertensioni shkakton edhe aneurizëm (zgjerim i enës së gjakut). Me kalimin e kohës, presioni i vazhdueshëm i gjakut i cili kalon nëpër një arterie të dobësuar mund të bëjë që një pjesë e murit të saj të zgjerohet dhe të formojë një aneurizëm. Një aneurizëm mund të çahet dhe të shkaktojë hemorragji të brendshme, që mund të rrezikojnë edhe jetën. Aneurizmat mund të formohen në çdo arterie, por zakonisht ato formohen në arterien më të madhe të quajtur aorte.

Si mund ta mbajmë nën kontroll tensionin e lartë?

Trajtimi dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të tensionit të lartë dhe për pasojë dhe të rreziqeve jetësore që ai kanos. Studimet tregojnë që hipertensioni dhe diabeti janë sëmundje bashkëshoqëruese. Ky kombinim i diabetit me tension të lartë bën që të dyfishohet rreziku për t’u prekur nga sëmundjet kardio-vaskulare. Mungesa e aktivitetit fizik është një nga faktorët kryesorë që ndikon në sëmundjet kardio-vaskulare. Ushtrimet fizike dhe humbja në peshë mund të parandalojnë ose të vonojnë shfaqjen e diabetit të tipit të 2, të ulin tensionin dhe të ulin rrezikun për t’u prekur nga ataku kardiak dhe goditja në tru.