MENU
klinika

Blegtoria jep alarmin “SOS”

Tkurret numri i bagëtive, ulet prodhimi i qumështit

23.06.2024 - 13:29

Sektori i blegtorisë në Shqipëri po vijon tkurrjen nga viti në vit, ku pavarësisht skemave të mbështetjes financiare nuk po arrin të rimëkëmbet. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë viti 2023, numri i gjedhëve regjistrohet në afro 263 mijë, me një rënie me afro 35 mijë krerë në raport më një vit më parë, hendek ky që thellohet edhe më tej krahasuar me vitet e mëparshme. Nëse do të krahasojmë për një periudhë 10 vjeçare, numri i krerëve lopë ka pësuar një tkurrje me 235 mijë, apo e thënë ndryshe është përgjysmuar.

Po ashtu, numri i të imtave në fund të vitit 2023 regjistrohet në afro 1.84 milionë krerë, me një rënie prej rënie prej afro 250 mijë krerësh në raport me një vit më parë, ku tkurrja më e lartë vihet re tek krerët e deleve. Nga 2013-ta sektori ka humbu 890 mije krerë të imta. Ndërsa numri i krerëve shpendë regjistrohet në 7 milionë krerë, me një rritje prej rreth 200 mijë krerësh në raport me një vit më parë, edhe pse me rënie në krahasim me vitet e tjera. Në raport me vitin 2013, sektori ka humbur 1.9 milionë krerë.

Bletaria ka qenë i vetmi zë në sektor që ka performuar pozitivisht duke shënuar një rritje të numrit të koshereve të bletëve në 519 gjatë viti 2023, dhe thuajse dyfish në një dekadë, raporton scan. Tkurrja e blegtorisë në këtë masë ka bërë që prodhimi i qumështit në vend të bjerë në mënyrë drastike, nga 970 ton në vitin 2022, në 900 ton në 2023, po ashtu edhe prodhimi i mishit peshë e gjallë ka rënë në 135 mijë tonë, nga afro 140 mijë tonë të prodhuara në 2022. Përkundër kësaj, pavarësisht rënies së numrit të shpendëve, rendimenti i tyre duket se ka qenë më i lartë për shkak se është rritur numri i vezëve të prodhuara me 128 milionë kokrra vezë, duke regjistruar një total prej në 894 milionë korra në 2023-shin, dhe nga ana tjetër është rritur dhe prodhimi i mjaltit me 300 tonë, duke u regjistruar në 5600 tonë.