Greqia duhet të reduktojë ndërtimet e shfrenuara dhe të mbrojë burimet ujore dhe zonat bregdetare, nëse dëshiron të ketë një industri të shëndetshme turistike në të gjithë ishujt e saj dhe zonat e plazheve thekson në raportin e tij të fundit Avokati i Popullit .
Rreth 33 milionë njerëz vizituan Greqinë në vitin 2023, 5 milionë më shumë se një vit më parë, të tërhequr nga vendet e saj të lashta arkeologjike, ujërat e kaltra të Mesdheut dhe ditët pa mbarim me shkëlqimin e diellit. Mbi 4 milion vizituan vetëm Akropolin.
Por Avokati i Popullit paralajmëron për rreziqet mjedisore në rritje dhe bën thirrje për reforma urgjente për ta menaxhuar atë në mënyrë të qëndrueshme”.
“Greqia nuk duhet “të shterojë potencialin e saj, duke e humbur atë dhe duke i bërë destinacionet turistike jo tërheqëse me kalimin e kohës”– thuhet në raport.
Edhe kryeministri Mitsotakis në një intervistë të fundit për Bloomberg deklaroi se ka ardhur koha, ndoshta vitin e ardhshëm, për të vendosur kufizime për anijet turistike që vizitojnë ishujt më të njohur të Greqisë, si hapi i parë i qeverisë për të trajtuar efektet e “hiperturizmit” në periudhën pas pandemisë.
Mitsotakis tërhoqi vëmendjen për presionin mbi ishujt si Santorini ku numri i madh i vizitorëve nga anijet që ankorohen, largon ata që vizitojnë ishullin dhe qëndrojnë në të për më shumë ditë.
Santorini, i njohur për pamjet e tij të mrekullueshme vullkanike dhe perëndimet fotogjenike të diellit, ishte destinacioni më i popullarizuar i Greqisë vitin e kaluar, me 800 anije që e vizituan, duke ofruar afro 1.3 milionë vizitorë, një rritje prej 17% nga viti 2022. Ishulli ka afërsisht 15,000 banorë ,por pret më shumë se 5.5 milionë vizitorë në vit, dyfishi në krahasim me 2012 dhe kontribuon me 1 miliard euro në të ardhura vjetore të vendit .
Edhe Mykonos priti 749 anije turistike në 2023, një rritje prej mbi 23% nga një vit më parë .
Turizmi përbën rreth një të katërtën e prodhimit të ekonomisë greke dhe pas pandemisë vendi ka thyer rekorde për vizitat turistike dhe të ardhurat. Greqia mirëpriti 32.7 milionë turistë në vitin 2023, 18% më shumë se një vit më parë, ndërsa tremujori i parë i 2024-ës pati një rritje prej gati 25% të vizitorëve.
Të ardhurat pritet të rriten këtë vit në 21 miliardë euro nga 20.5 miliardë vitin e kaluar – një ndihmë e madhe për një ekonomi që del nga një krizë borxhi prej një dekade.
Greqia nuk është vendi i parë mesdhetar që detyrohet të ndërmarrë masa për të përballuar efektet e hiperturizmit. Italia në vitin 2021 ndaloi anijet e mëdha të lundrimit të hyjnë në kanalin që çon në qendrën historike të Venecias pas dëmeve nga numri i madh i tyre, ndërsa edhe tani ata që e vizitojnë atë brenda ditës paguajnë një tarifë të vendosur nga autoritetet për të hyrë në qendër të saj gjatë periudhave të pikut.