MENU
klinika

"Përgjigja për të ndaluar Rusinë është…"

Zelensky kërkon miliarda euro për mbrojtjen e Ukrainës

11.06.2024 - 18:36

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës. Ai i bëri këto komente më 11 qershor në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin.

Gjermania është nikoqire e konferencës dyditore për planifikimin e rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të luftës së nxitur nga pushtuesi rus, si pasojë e të cilës pjesë të Ukrainës janë rrënuar.

Në këtë konferencë po marrin pjesë 2.000 njerëz nga politika, biznesi dhe fushat e tjera.

“Ne do të largohemi nga kjo konferencë me marrëveshje për miliarda euro për mbrojtjen tonë, në lidhje me prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë, si dhe për energjinë tonë, për riparimin dhe ndërtimin e një sistemi të ri dhe më modern energjetik”, tha Zelensky në konferencën dyditore që nisi më 11 qershor në kryeqytetin gjerman.

Zelensky i theksoi sulmet ruse në objektet energjetike të Ukrainës, duke shtuar se prej dimrit të kaluar është shkatërruar gjysma e kapacitetit të vendit për prodhimin e energjisë elektrike.

Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës e kanë detyruar Kievin të vendosë reduktime të rrymës në gjithë vendin.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta furnizojnë Ukrainën me më shumë kundërajrorë, duke thënë se kjo është “përgjigja” për ndaljen e përparimit të Rusisë në luftë dhe për sigurimin e paqes afatgjate.

“Përparësia më e madhe strategjike e Rusisë ndaj Ukrainës është superioriteti në qiell. Është terrori raketor dhe i bombave që u ndihmon trupave ruse të çajnë përpara në fushëbetejë”, theksoi Zelensky, duke shtuar “mbrojtja ajrore është zgjidhja”.

Në një komunikatë të lëshuar para konferencës, ministrja e Ministrisë gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze, tha se “edhe gjatë në kohën e tashme të luftës, Ukraina ka nevojë të ndërtojë vazhdimisht shtëpi, tubacione uji, spitale dhe rrjet energjetik”.

Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e Kievit pas Shteteve të Bashkuara me pajisje ushtarake.

Konferenca e Berlinit po mbahet në prag të takimit të G7-ës në Itali më 13-14 qershor, ku Ukraina do të jetë njëra ndër temat kryesore.

Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, do të bisedojnë për mënyrën se si t’i përdorin përfitimet nga asetet e ngrira ruse në Perëndim, për ta ndihmuar Kievin financiarisht.

Pas atij takimi, më shume se 90 vende dhe organizata do të përfaqësohen në një samit të paqes në Zvicër në fundjavë, edhe pse Rusia nuk u ftua dhe Kina nuk do të marrë pjesë.

Gjatë një takimi në Letoni më 11 qershor, liderët e krahut lindor të NATO-s thanë se do të “mbajnë qëndrim më të koordinuar” për Ukrainën, kur bëhet fjalë për mbështetjen e saj.

Ndërkohë, forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë më 11 qershor. Autoritetet ukrainase thanë se së paku pesë persona u plagosën nga shpërthimet në qytetin Konstantinivka në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck./REL