MENU
klinika

Heqja e ligjit të luftës me Greqinë

Gjekmarkaj në Kuvend: Për shkak të kësaj qeverie, marrëdhëniet në nivele të ulëta

18.07.2024 - 12:56

Në diskutimet e zhvilluara sot në Kuvend, për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë, deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj mbajti gjithashtu fjalën e tij.

Gjekmarkaj tha se Shqipëria do traktat miqësie me Greqinë, duke shtuar se kryeministri Rama keqësoi raportet me Athinën. Ai tha marrëdhëniet me Greqinë janë në nivele të ulëta për shkak të kësaj qeverie.

PJESË NGA FJALA E GJEKMARKAJT:
Heqja e ligjit të luftës, emancipon jo vetëm marrëdhënien mes Greqisë e Shqipërisë por vetë shoqërinë dhe politikën e vendit fqinj.

Ne duhet të kemi kurajo si Parlament i Shqipërisë, të hapim një proçes dialogu për adresimin e të gjitha problemeve të mbetura pezull me Greqinë. Ne duhet të bëhemi strategjikë e jo emocionalë, duhet të jeni bashkëpunues me opozitën për çështje madhore e jo përjashtues.Ne duhet të zgjidhim çështjen e detit për të cilën nuk kemi më asnjë të dhënë nga Qeveria jonë.

A i rri ende Qeveria jonë Gjyqit të Hagës apo ka ndryshuar opinion ? Ku jemi me çështjen e njohur si çështja e detit ? Pse mbeti e papërfunduar negociata e 2017-2018 dhe a jemi tërhequr apo jo zyrtarisht nga kjo negociatë? Është thënë se do ta zgjidhim në Hagë, kur do të shkojmë? Pse nuk e lëshon plotfuqishmërinë Presidenti i Republikës? A është e vërtetë se ekspertiza e huaj (Studio Ligjore e Gruas së Tony Blair), iu ka paralajmëruar përmes një analize se nëse shkojmë në Hagë do të merrnim rezultatin më minimal të mundshëm? Ne me Greqinë duam dialog për çdo gjë e gjithçka, zgjidhje totale të problemeve, një traktat të ri miqësie pa ligjin e luftës në sfond.

Traktati formalisht i bie që është shfuqizuar me 2023, mbasi u zgjat afati 5 vite në heshtje. Më tej duhet ribërë teorikisht, ose së paku rimiratuar ashtu siç ishte. Kryeministri Rama e la në heshtje megjithë kërkesat tona duke e bërë nul.

Ne e pranojmë deklaratën e sotme, duke ju referuar traktatit në princip, por nuk shfajësojmë Ramën, apo shuajmë përgjegjësinë e tij, që nulifikoi traktatin aq pozitiv e të domosdoshëm.

Kemi vite që kërkojmë një rezolutë për të dënuar krimet serbe në Kosovë por Kryeministri dhe mazhoranca nuk lëvizin ndërkohë artificialisht përkeqësojnë raportet me fqinjin jugor.

Tashti sic duket dicka i duhet Ramës, por po bëjmë sikur nuk po e kuptojmë!

Çështjet dy palëshe të pazgjidhura me Greqinë kanë një gamë më të gjërë se kaq dhe duket që pas një vrulli disavjeçar që prodhoi rezultate të kufizuara ka vite që nuk bëhet asgjë në këtë drejtim.

Dhë së fundi i drejtohem iniciuesit të kësaj deklarate Zotit Idrizi duke e falenderuar për objektin dhe formulimin e saj me shpresën që kjo nuk u fut në kalendarin e punimeve për të ushqyer nacionalizmin folklorik, në suazën e sagës së zgjedhjeve në Himarë.

Ju kujtoj, se çdo qeveri nga ajo e Enver Hoxhës e këtej ka folur kundër ligjit të luftës, pra këtu skemi risi të jemi të vetëdijshëm.

Kuvendi po investohet nga grupi parlamentar ‘Demokraci dhe Integrim’ për të diskutuar një çështje për të cilën askush nuk ka asnjë dilemë në Shqipëri.Heqjen e ligjit të luftës Shqipëria e ka kërkuar pas përfundimit të luftës së dytë botërore në Konferencën e Paqes të Parisit në vitin 1947.

Dhe në planin dypalësh me Greqinë menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971 e deri në ditët e sotme, marrëdhëniet me Greqinë kanë rënë në nivelin më të ulët falë politikës diletante të Edi Ramës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN