MENU
klinika

Përjetësisht, mirënjohje!..

Lamtumirë, Kadare… Ti Promete, që përzure zotat e Olimpit!!!

03.07.2024 - 09:54

       Ditën e fundit të lamtumirës me mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtari Sulejman Mato e quan të ndjerin Kadare, si Shekspirin tonë, të shekullit të 20-të. Ai i “kujton” shkrimtarit të madh, se krijimtaria e tij, tashmë është pronë e shqiptarëve kudo ndodhen dhe pronë e botës së qytetëruar.

Shprehet me këto fjalë zemre… për pikëllimin, për dhimbjen… Për krenarinë! Për dashurinë! Për mirënjohjen!

Mato, shkruan:

Lamtumirë, Ismail Kadare, miku im i shtrenjtë, i rinisë dhe i të gjitha kohëve!

“Oh, ç’mendje e lartë u përmbys sot! Ushtari, oborrtari dhe shkollari,”… shkruante Shekspiri yt, për ikjen e princit Hamlet.

Tani, në këtë çast, me duket se Shekspiri i shkroi këto vargje, për princin e letrave shqipe.

Në fëmini, kur ti shkruaje veprën e Shekspirit me dorë, nuk e dije se një ditë, do të bëheshe dhe vetë Shekspir, Shekspiri ynë, Shekspiri i shekullit njëzetë.

Ti ke qenë për mua, jo vetëm një mik e vëlla i madh, por dhe një orientues në jetë  Dy vjet e gjysmë që jetuam së bashku, në Berat, kanë qenë një fat për mua dhe kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën time.

Ti më the, shkruaji ato kujtime dhe unë i shkrova, ato dhe grimca të tjera, të jetës sonë.

Më pas, nga viti në vit, ti po ngjiteshe lart, drejt Olimpit dhe unë, nuk të ndiqja dot.

As unë dhe as shokët e tjerë shkrimtarë, nuk të ndiqnim dot.

Olimpi ishte plot bubullima dhe vetëtima zotash. Po ti ia dole.

Ti ishe një Promete ndryshe. Ndryshe nga Prometeu i Eskilit, që ti e doje aq shumë. Nuk të kryqëzuan dot, zotat, në malet e Kaukazit, përkundrazi, i përzure ti, nga Olimpi.

Sot, në përcjelljen e lamtumirës, do të doja të ishin aty, të gjithë shkrimtarët dhe artistët e ikur para teje, nga kjo botë, Petrua, Dritëroi, Fatosi, Dhimitri, Feimi, etj., që të kanë dashur shumë, të kanë vlerësuar shumë dhe janë krenuar me talentin tënd.

Ti ike, po i le popullit tënd, historinë e tij në romanet e tua, që shëtisin sot, në 45 vende të botës.

Ti e doje shumë Homerin, Eskilin dhe Shekspirin, por u bëre vetë Homer, Eskil e Shekspir, për ne.

Lamtumirë, mik i shtrenjtë. Krijimtaria jote, tashmë është bërë pronë e gjithë shqiptarëve, kudo që janë dhe pronë e botës së qytetëruar.