Fredi Beleri ka dalë nga burgu i Fierit, pasi do të betohet nesër si eurodeputet i Parlamentit Europian në Francë. Ai është pritur që në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë si dhe makina e ambasadës greke.
Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut të Fierit mëngjesin e së hënës pas lejes së marrë nga Drejtoria e Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg. Ai është pritur nga një mjet i ambasadës greke, ku është nisur për Tiranë dhe më pas do të fluturojë drejt Athinës. Në një prononcim për mediat greke, ai tha: “Faleminderit për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i prekur dhe i lumtur, të tjerat do të diskutohen në Athinë”.
Një ditë më parë, Drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet i zgjedhur nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi. Sipas të dhënave, Beleri pritet të udhëtojë i vetëm drejt Francës, i pashoqëruar nga efektivë të burgjeve, dhe do të qëndrojë atje nga data 15 korrik deri në datë 20 korrik, ditë në të cilat do të zhvillohen edhe punimet e Parlamentit Europian. Beleri ka kërkuar të qëndrojë ne Strasburg për të pakten 5 ditë, e në rast se do t’i duhet më shume kohë qendrimi duhet të komunikojë me komisariatin më të afërt në vendin ku do të qëndrojë, si dhe me institucionet shqiptare.
Leja që iu dha Belerit nga drejtoria e burgjeve i përket kategorisë së lejes shpërblyese, e cila iu jepet të dënuarve deri në 3 vjet burg dhe që kanë vuajtur 3/4 e dënimit. Sipas kritereve të kërkuara nga Drejtoria e Burgjeve, Alfred Beleri ka dorëzuar të sakta, biletat e avionit, listën me emrat e personave qe do ta shoqërojnë si dhe adresën e vendit ku do të qëndrojnë. Gjithashtu, Belerit i është bërë e ditur se nëse ka tentativa për largim, ai rrezikon një dënim tjetër me 5 vite burg. Alfred Beleri është dënuar me 2 vite burg për shitblerje të votave. Dënimi përfundon në muajin tetor, kur dhe pritet të lirohet nga burgu.