Vrasjet e javës së kaluar në Iran dhe Liban ngritën në kulm tensionet në Lindjen e Mesme. Që prej atëherë, Shtetet e Bashkuara janë bërë gati për hakmarrjen e Iranit ndaj Izraelit. Doktor Methju Levit, nga Instituti për Lindjen e Afërt në Uashington, thotë se hakmarrja është e pashmangshme.
“Kushdo që ju thotë se e di se cila do të jetë përgjigjja po ju gënjen. Por përgjigjja do të jetë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, deklaroi Levitt.
Levit thotë gjithashtu se për Hezbollahun, një luftë totale do përkeqësonte situatën në Liban. Sipas tij, vendi do të zhytej më tej në krizën ekonomike dhe politike.
“Për Hezbollahun, kriza ekonomike dhe ajo politike kanë krijuar në Liban një situatë ku askush nuk e do një luftë totale, e cila do të sillte shkatërrimin e Libanit dhe do ta bënte jetesën atje edhe më të vështirë. Njerëzit e kuptojnë këtë, edhe Hezbollahu e kupton se ndryshe nga lufta e vitit 2006, këtë herë libanezët do të fajësojnë vetë lëvizjen për nisjen e një lufte që askush, përfshirë Izraelin, nuk e dëshironte”, tha Levitt.
“Ata nuk e duan një luftë madhore që të afrohet në kufijtë e Iranit, jo vetëm sepse e dinë se Izraeli ka kapacitete reale dhe ka si aleat Shtetet e Bashkuara, por janë të shqetësuar se ajo mund të nxisë pakënaqësinë e brendshme dhe t’i bëjë njerëzit të mendojnë se ky regjim duhet rrëzuar”, tha Levit.
Hakmarrja e Iranit ndaj Izraelit konsiderohet një minë me sahat.