Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë, subjektet që parapaguan këstin e parë të detyrimit janë ende në pritje që t’u kthehen paratë nga administrata tatimore. Procedura që do të ndiqet është e paqartë sepse mungon udhëzimi nga Ministria e Financave.
Etleva Treska është një nga shumë profesionistë të lirë që parapagoi këstin e parë të tatim-fitimit, ashti siç ligji tashmë i shfuqizuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte.
“Ne jemi zbatues të ligjit, pavarësisht nëse ai është i kontestuar. Deri në zbardhjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese ne kemi vijuar të paguanim këstet e tatim-fitimit”, thotë pekspertja kontabël.
Dy muaj pas vendimit të “Kushtetueses”, ajo bashkë me një pjesë të atyre që parapaguan tatim-fitimin janë në pritje që t’u kthehen paratë nga administrata tatimore. “Nuk është normale që një pjesë të penalizohet se u tregua konform ligjit dhe pjesa tjetër që nuk e pagoi të jetë po konform pavarësisht se theu dhe nuk respektoi ligjin”, thotë ekspertja kontabël.
Por procedura që do të ndiqet është e paqartë sepse mungon udhëzimi nga Ministria e Financave. Për më tepër edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është ezaurues. “Ne jemi interesuar në drejtori rajonale apo në atë të përgjithshme nuk ka ende një vendim të dalë nga MF. Mund të ketë një ngërç sepse vendimi i GJK nuk thotë nëse ka fuqi prapavepruese apo jo. Duhet parë sesi do të interpretohet”.
E në një kohë që paratë e paguara nga profesionistët e lirë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit, Treska tregon edhe rrugën se si ato mund t’iu kthehen pas. “Duhet t’u kthehet mbrapsht në formën e rimbursimit apo t’u njihet si shumë e paguar për detyrime të tjera, duke u mbështetur në nenin 75 të ligjit “Për procedurat tatimore”.
Pas padive të dorëzuara nga grupet e interesit, por edhe nga Partia Demokratike, Gjykata Kushtetuese vendosi në qershor në favor të profesionistëve të lirë, duke rrëzuar nenin që urdhëronte tatimin e tyre me 15 dhe 23 për qind. Pas këtij vendimi, tatimi i këtij grupi do të nisë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.