Intriga, aleanca, tradhti, vrasje dhe shumë para. Kjo është panorama mes grupeve kundërshtare në Elbasan gjatë periudhës nga fundi i vitit 2018 deri në momentin kur Nuredin Dumanit i bëhet atentat.
Dosja e SPAK mbi grupin Çopja është voluminoze dhe paraqet të gjitha zhvillimet e bujshme mes tyre dhe grupit të Erion Alibejt, luftë e cila shpërtheu pikërisht në 29 dhjetor 2018 ku edhe u vranë Indrit Alibej, Erdal Durunay dhe Arben Dylgjeri.
Në këtë moment, Erion Alibej fillon hetimet personale për të zbuluar se kush e kreu atentatin. Nga ana tjetër, Çopjat ndjehen të sigurt se nuk kanë lënë gjurmë në ngjarje. Madje, Franc Çopja shprehet sipas komunikimeve në SKY se ka shkuar për ngushëllim në shtëpinë e Erion Alibejt duke hedhur edhe 50 euro.
Por, situata do të ndryshojë disa muaj më pas ku Erion Alibej përmes njerëzve të tij mëson se pas atentatit janë si financues vëllezërit Çopja, ndërsa si organizator Mikael Qosja ose siç njihet ndryshe, Kel Kamami, sipas dosjes.
Në dosje shpjegohet edhe atentati me detaje, si edhe rolet që kanë patur Mikael Qosja, Talo Çela, Besmir Haxhia, Altin Ndoci, Eljo Bitri si edhe Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit.
Në dosjen e parë nga vizionplus.tv, është edhe një moment interesant kur Nuredin Dumani, atëhere i kërkuar nga policia, kërkon të komunikojë me vëllanë e tij, Dashnor Dumani.
Dumani, përmes një celulari të kriptuar, i shkruan një të njohuri të tij dhe i thotë që t’ia çojë vëllait, Dashnorit, celularin që ky i njohur kishte, në mënyrë që dumanët të flisnin me njeri-tjetrin.
Në bisedën e zbardhur nga SPAK, Nuredin Dumani i thotë të vëllait se Talo Çela ka dhënë detaje duke orientuar policinë për vendin ku duhej kërkuar për ata, ndërsa një moment i thotë se disa persona në Durrës kërkonin t’i vrisnin prandaj edhe duhej të tregonte se çfarë dinte për Talo Çelën.
Ndërkohë që fliste me të vëllanë duke kërkuar informacion për Talo Çelën. Nuredin Dumani e pyet të vëllanë se “nga dilnin makinat për të bërë punë”, duke kërkuar informacion për bazat e Talo Çelës dhe se ku mund të ishin njerëzit që mbështesnin grupin e tij.
Dashnor Dumani i thotë se makinat dilnin nga Elbasani duke mos dhënë detaje të tjera të operacioneve të grupit të tyre.
Veprimtaria kriminale e vëllezërve Çopja sipas SPAK
Më 1 gusht 2024, SPAK përmes një njoftimi zyrtar zbuloi aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani.
Me kërkesë të SPAK, më 29 korrik GJKKO lëshoi 33 urdhërarreste nga të cilat gjatë megaoperacionit “Plumbi i Artë 2” të zhvilluar më 31 korrik 2024 në disa qytete u arrit të ekzekutoheshin 13, ndërsa dy të tjerë gjenden të arrestuar jashtë Shqipërisë, 20 të tjerë arritën të largoheshin.
Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja ndodhet i arrestuar në Dubai.
SPAK ka zbuluar dhe si vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal vreth viteve 2006 – 2007, duke shpërndarë në sasi të vogla kokainë, derisa arritën të zgjeroheshin edhe ne vende të tjera të Evropës e jo vetëm dhe një nga grupet më të rrezikshme kriminale në Elbasan.
SPAK thotë se për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve, nëpërmjet vrasjeve me pagesë të personave, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Një ndër to është vrasja e 29 dhjetorit 2018, e njohur si Masakra e Bradasheshit, kur u eliminua Endrit Alibej dhe 2 persona të tjerë, vrasje e cila u pasua me urdhërimin dhe të eliminimit të disa personave të afërm të tij.
Jo vetëm kaq ata rritën dhe potencialin e tyre ekonomik dhe si rrjedhojë dhe pozitat e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.
4 tentativa vrasjeje ishin në drejtim të vëllait të Endrit Elibejt, bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej por që të gjitha dështuan nga nëntori 2019 në nëntor 2020. Ndërkohë që në 2 raste të tjera ka qenë i penduari tjetër i drejtësisë Nuredin Dumani që i ka shpëtuar atentateve.
Vëllezërit Çopja janë autorë edhe të vrasjes së Klevin Bahos dhe plagosjes e vëllait të tij Aldo (Aleksandër) Baho” në vitin 2019. Gjithashtu SPAKA ka vertetuar se ata janë autorë edhe te vrasjes se Andi Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçi, 13 dhjetorin 2019, në fshatin Përparim në Peqin, si dhe vrasjen e Klevis Kapllanit shtatorin e vitit 2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë.
Ndërsa kanë mbetur në tentativë vrasjet e Kei Pikut 16 Janarin e vitit 2020 ne Elbasan; Irfan Azizit, nëntorin e vitit 2020, në Urë Vajgurore dhe një punonjësi policie marsin e vitit 2018, në Fier.
Organizata ka arritur të rekrutojë edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.
Organizata kriminale e vëllezërve Çopja sipas SPAK ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe të Durrësit. Gjithashtu organizata ka pastruar paratë kryesisht në sektori i ndërtimit, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
SPAK thotë se Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, edhe për kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.d