MENU
klinika

Ngjela paralajmëron arrestime “VIP”

“Goditja e SPAK për politikën sapo ka filluar, ja roli i FBI”

18.09.2024 - 11:05

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka paralajmëruar zhvillime të bujshme në politikën shqiptare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Ngjela shprehet se Prokuroria e Posaçme (SPAK), e kontrolluar nga FBI dhe amerikanët sapo kanë nisur goditjet “VIP” te pushtetarët e lartë të korruptuar. Sipas tij, do të ketë goditje të tjera në politikë. Avokati thotë se përfaqësuesja e DASH, Colleen Hyland në Tiranë konfirmoi për herë të tretë se është Amerika që drejton dhe financon SPAK. Ngjela shprehet se edhe sekretari amerikan Blinken ka thënë që SHBA do të bëjnë çfarë është e mundur ta eliminojnë korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri. Gjithashtu avokati komentoi dhe dosjen 500 faqe për aferën “Partizani” ndaj familjes “Berisha”. Sipas tij, ish-kryeministri ua dha në mënyrë korruptive pronarëve kompleksin “Partizani”.

-Avokat Ngjela, përfaqësuesja e DASH, Colleen Hyland në Tiranë ka shprehur mbështetje të fuqishme për SPAK dhe ka vlerësuar punën e tij si të shkëlqyer. Si e interpretoni këtë mbështetje në kontekstin e përpjekjeve për të përmbushur kriteret e BE-së për anëtarësim? Çfarë ndikimi mund të ketë ky qëndrim në përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE? A është edhe një paralajmërim për qeverinë, duke qenë se ka ngritur Komisionin Anti-Korrupsion për të kontrolluar SPAK?

Unë jam i pari që kam thënë se SPAK e drejton Uashingtoni dhe ja që u provua dhe është hera e tretë që thonë ata se SPAK-un e drejtojmë ne. Këto thonë Rama e të tjerë por unë i kam goditur se e kam ditur që SPAK jo vetëm e drejton FBI-ja dhe Uashingtoni, por e paguajnë SPAK-un. Ne kemi shpresë që do të ecim përpara me SPAK-un për të goditur korrupsionin në Shqipëri. Sekretari i shtetit amerikan ka thënë që ne do të bëjmë çfarë është e mundur ta eliminojmë korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri. Të shikojmë pasi deri tani nuk kanë ecur keq. SPAK-u është fuqiplotë dhe komisioni i tyre nuk ka fuqi juridike. SPAK ka dhe Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme. Komisionin e tij, Prokuroria e Posaçme e arreston. Gjithsecili duhet të bëj punën e tij anti-korrupsion por unë besimin tim e kam gjithmonë të SPAK-u, Prokuroria dhe Gjykata e SPAK-ut.

-Po ashtu, përfaqësuesja e DASH në Tiranë ka theksuar rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të korrupsionit për të përmbushur kriteret e BE-së. Si e shihni situatën aktuale të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri dhe çfarë hapa konkretë janë të nevojshëm për të përmbushur këto kërkesa?

Luftën anti-korrupsion në Shqipëri e drejton politika amerikane me DASH-in dhe me FBI-në. Ata do ta çojnë deri në fund luftën sepse interesi i madh që ka politika amerikane në Shqipëri dhe në Kosovë, e ka ngadalësuar shumë influencën amerikane, si pasojë e korrupsionit në nivele të larta të politikës. Goditja e politikës ka filluar, ke një kryeministër brenda, një ish-zv/kryeminisitër, 4-5 kryetar bashkiakë, 4 ministra dhe kjo do të vazhdojë. Unë kam besim se do ta çojnë luftën e tyre ndaj korrupsionit deri në fund.

-Në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizanit”, si i komentoni akuzat e SPAK që përfshijnë një skemë të mundshme korrupsioni dhe manipulimi të ligjeve për interesat e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit? Cilat janë pasojat e mundshme të këtyre akuzave për sektorin e privatizimit dhe për besueshmërinë e institucioneve shqiptare?

Fakti është ky që, klubi “Partizani” është ngritur në trojet e shtetit. Por si e ka patur atë pronësi shteti, pasi Italia kishte futur në influencë Shqipërinë, kapitali Italian për të ndërtuar aeroportin e Tiranës, bleu territorin. Dhe atë territor shteti ia bleu pronarëve privat dhe ndërtoi aeroportin. Kur erdhi në pushtet Partia Demokratike dhe donte ta merrte atë, ia dhanë pronarëve. Ajo quhet tokë shtetërore sepse si e ka Italia, si e ka qeveria shqiptare, ishte e njëjta gjë asokohe. Ajo ishte pronë e shtetit shqiptar, Berisha ua dha pronarëve dhe më pas filloi i gjithë korrupsioni se jo u ngrit klubi, etj. Nuk ka pasoja, do të shkojnë drejt gjyqit dhe do të dënohen apo nuk do të dënohen, këtë gjë do ta shohim dhe cila do të jetë akuza e të shohim se çfarë do të bëj Prokuroria dhe Gjykata e SPAK-ut.

-Sipas raportimeve, skema e privatizimit për “Partizanin” ka përfshirë ligje të porositura dhe manipulime të mëdha. Si mund të adresohen këto shqetësime për të siguruar transparencë dhe drejtësi në proceset e privatizimit në të ardhmen? Çfarë masa duhet të ndërmerren për të parandaluar abuzime të ngjashme dhe për të garantuar integritetin e institucioneve dhe ligjeve?

Çështjen tashmë e ka marrë në dorë SPAK-u dhe nuk ka transparencë. Problemi për ta është se dosjen e ka marrë në dorë SPAK-u dhe juridikisht do ta çoj deri në fund. Ka apo nuk ka krim, e di SPAK-u, nga prokuroria e SPAK-ut te Gjykata e SPAK-ut dhe po i presim. Ato janë nisur me dyshime se ka abuzim dhe e kanë filluar çështjen penale, ka arrestuar Berishën. Është arrestuar kryeministri, është arrestuar dhëndri i Saliut, Malltezi, është provuar blerja në korrupsion dhe tani do të presim gjyqin.