MENU
klinika

Përmirësohet sistemi i deklarimit

Bizneset vështirësi për deklarimin e qirave, shtyhet afati

26.10.2024 - 13:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shtyrë afatin e dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë për vendushtrimin e aktivitetit ekonomik të bizneseve që operojnë në vend. Ndërsa afati i vendosur fillimisht ishte data 20 tetor, për shkak të paqartësive dhe vështirësive që kanë pasur subjektet për të përmbushur këtë detyrim, e reflektuar në pyetje dhe kërkesa ndaj administratës tatimore, është vendosur shtyrja e afatit të për deklarimin në e-Filing edhe më një muaj. Administrata Tatimore bën gjithashtu me dije se gjatë këtyre ditëve do të vijojë punën për përmirësimin e modulit për ta bërë më të thjeshtë deklarimin për tatimpaguesit, ndërkohë që ata vetë do të duhet të përditësojnë informacionin e kërkuar.

Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale ne e-filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, pra nga çdo NIPT, si për adresën kryesore ashtu edhe për ato sekondare. Tatimpaguesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës që e vërteton deklarimin siç është dokumenti i pronësisë, kontrata e qirasë etj. Ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe për krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi. Por nga ana tjetër është edhe një metodë e tërthortë për të futur në sistem taksimi ato apartamente që janë dhënë me qira për njësi biznesi por nuk janë deklaruar të tilla nga pronarët e tyre, me qëllim shmangien e tatimit mbi qiratë, i cili është në nivelin 15 %.

Duke qenë se tashmë bizneset do të jenë të detyruara të bëjnë këtë deklarim dhe do të duhet të kenë kontrata të rregullta me pronarët e këtyre njësive, automatikisht ato do të përfshihen në sistemin tatimor. Qeveria parashikon që të ardhurat nga tatimi mbi qiratë të kenë një rritje progresive nga viti në vit, ku nga 487 milionë lekë të projektuara në vitin 2024, të kapërcejnë në 1 miliardë lekë në 2025, për të arritur në 1.5 miliardë lekë në 2027-ën. Sipas ligjit në fuqi, mosdhënia i këtij informacioni konsiderohet kundërvajtje administrative.