Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka intensifikuar luftën ndaj korrupsionit, ndërsa ka nisur një operacion të gjerë për të gjurmuar paratë e pista të të politikanëve të korruptuarve dhe baronëve të krimit të organizuar, të cilat janë fshehur brenda dhe jashtë vendit. Me 35 ekipe ndërkombëtare në terren, autoritetet janë angazhuar për të zbuluar miliona euro dhe dollarë të transferuara jashtë vendit. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili ka zbardhur skemat e kompleksit financiar që shfrytëzojnë individë të lidhur me politikën dhe biznesin për të fshehur pasuritë e paligjshme. Me një qasje të vendosur, Dumani paralajmëron se askush nuk është i paprekshëm, duke theksuar se janë goditur tashmë mbi 150 milionë euro pasuri të krimit. Ky angazhim i Prokurorisë Speciale dhe drejtuesit të saj zotit Dumani reflekton një përkushtim serioz për të ndëshkuar ata që abuzojnë me pushtetin dhe për të rikthyer besimin te institucionet. Tashmë, vëmendja është e përqendruar në zhvillimet e ardhshme dhe në efektet që kjo fushatë do të ketë në klimën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.
Detajet
Konkretisht drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani deklaroi dje se vlera e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro deri tani. Në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, që u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali si dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, Dumani u shpreh se SPAK është i përkushtuar për të vijuar punën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kreu i SPAK ka deklaruar se institucioni që ai drejton se goditur krimin e organizuar duke siguruar rezultate reale. Madje Dumani theksoi se sa i takon krimit të organizuar kanë pasur suksese me personazhe që më herët janë konsideruar të paprekshëm, ndërsa shton se goditja e pasurive kriminale dhe krimi i korrupsionit, shkon në 150 milionë euro.
“Sa i takon krimit të organizuar kemi pasur rezultate të prekshme duke proceduar penalisht persona që më herët re konsideroheshin të paprekshëm. Kemi arritur të sekuestrojmë dhe konfiskojmë vlera të konsiderueshme deri në 150 milionë euro”, deklaroi ai. Ndërkohë një pjesë e rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Dumani theksoi dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Dumani zbuloi se SPAK bën pjesë në 35 skuadra të përbashkëta në BE, Ballkan dhe më gjerë duke shkëmbyer informacion në kohë reale për luftën ndaj krimit të organizuar. “Një pjesë e parave të krimit transferohen jashtë Shqipërisë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik si me BE dhe me vendet e rajonit.
SPAK ka aktive 35 skuadra të përbashkëta hetimore në BE, Ballkan dhe tej Evropës, kemi shkëmbin informacionet në kohë reale. Pavarësia institucionale është e rëndësishme gjithashtu, ku prokurorët të punojnë të qetë të pandikuar nga pushteti apo krimi. SPAK ka rezultate të prekshme, ku janë goditur emra që nuk mendohej se do të ndodhte. Në foks ka qenë edhe pasuritë e vëna nga krimi, ku diversiteti i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara janë të larmishme që rrjedhin nga organizata kriminale dhe korrupsioni”, u shpreh Dumani.
Kërkesa
Nga ana tjetër, ai theksoi se SPAK ka nevojë për instrumente shtesë, në mënyrë që puna të jetë më efikase. “Është e nevojshme në legjislacion i mirë dhe në vendin tonë kemi një legjislacion të mirë lidhur me Kodin Penal apo ligje të tjera që ndikojnë në SPAK, por kemi edhe garancitë kushtetuese dhe ligjore që SPAK të ushtrojë në mënyrë të pavarur funksionet e saj. Kur them pavarësi them pavarësi nga pushtete e tjera por edhe pavarësi të brendshme, ku prokurorët ushtrojnë të drejtën e tyre të pandikuar nga drejtuesi. Pasja e një infrastrukturë të përshtatshme, investimi në teknologji, mjete dhe teknika të përshtatshme hetimi ku edhe krimi ka evoluar dhe sofistikuar. Kjo a detyron të bëjmë investime në përmirësimin e teknologjisë dhe ne si SPAK kemi arritur të investojmë në këtë drejtim dhe falë kësaj rezultatet janë të prekshme në luftën kundër korrupsionit. SPAK mund të quhet një strukturë e konsoliduar pasi jemi në organikë të plotë me 20 prokurorë”, nënvizoi Dumani.