MENU
klinika

Ndihmojnë rusët me raketa

Ushtarët e Kim Jong Un kanë mbërritur në Ukrainë

11.10.2024 - 16:29

Inxhinierët ushtarakë të Koresë së Veriut po marrin pjesë në luftën në Ukrainë dhe po ndihmojnë Rusinë me përdorimin e raketave balistike, dhe disa prej tyre kanë operuar në territoret e pushtuara dhe kanë vdekur, thanë zyrtarë të lartë në Kiev dhe Seul për The Guardian. Një burim ukrainas i tha të përditshmes britanike se ata ishin “prapa linjave ruse, në ekipe që mbështesin sistemet e lëshimit të raketave KN-23”. Ata ishin mes të vdekurve pas një sulmi ukrainas në territorin e pushtuar nga Rusia pranë Donetsk javën e kaluar, shtuan zyrtarët.

The Guardian shkruan se ndërsa Rusia “tashmë kishte mercenarë në anën e saj”, nëse inxhinierët ushtarakë nga Koreja e Veriut janë në terren, kjo do të shënonte herën e parë që një qeveri e huaj ka dërguar trupa ushtarake për të mbështetur Moskën. Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, u tha ligjvënësve në Seul se ishte “shumë e mundshme” që forcat e Koresë së Veriut të ishin vendosur për të luftuar në anën ruse dhe më vonë të vdisnin në sulm. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un udhëtoi në Rusi vitin e kaluar për një samit me Vladimir Putin, ku ata forcuan lidhjet e tyre me një marrëveshje sekrete armësh.

Dërgesat e municioneve të Phenianit kanë qenë jetike për përparimin e Rusisë në Ukrainën lindore këtë verë. Andriy Kovalenko , kreu i Qendrës së Ukrainës për Shtypjen e Dezinformatave, deklaroi në një postim në Telegram se anëtarët nga Koreja e Veriut u vranë në Rusi. Organizata e tij është pjesë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Ekspertët besojnë se hyrja në luftë i jep Koresë së Veriut mundësinë për të testuar armë, për të fituar përvojë luftarake për trupat e saj dhe për të forcuar pozicionin e saj me Putinin.