Diabeti është cilësuar epidemia e heshtur e shoqërive të sotme. Me ndryshimin e stilit të jetës është rritur dhe sëmundshmëria në popullatë. Afro 20% e personave që janë me diabet në vendin tonë nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje. Ndërsa zyrtarisht janë diagnostikuar mbi 95 mijë diabetikë, ku 30 mijë janë vetëm në Tiranë.
Endokrinologu Florian Toti, kryetari i shoqatës së personave me diabet, propozon zgjerimin e fashës së check up-it mbi moshën 70 vjeç për të kapur rastet me diabet dhe komplikacionet prej tij.
Në ditën botërore të diabetit mjekët endokrinologët raportojnë 4 mijë raste të reja në vit, ku nuk mungojnë pacientët e rinj në moshë dhe fëmijët. Por cilat janë shenjat që shfaq diabeti para diagnostikimit të tij?
Organizata Botërore e Shëndetësisë e vë theksin tek kontrolli i hershëm i popullatës për të parandaluar shfaqjen e diabetit. Ndërkohë sipas ministrisë së Shëndetësisë nga kontrollet mjekësore bazë është arritur parandalimi i tij tek personat prediabetikë.
Në ditën ndërkombëtare të diabetit, mjekët i bëjnë thirrje edhe bashkive të vënë në shërbim të fëmijëve fushat e sportit në shkolla edhe pas orarit të mësimit. Aktiviteti fizik ndikon uljen e riskut për prekjen nga diabeti por edhe sëmundje të tjera.