Një cikël i ri në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritet të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, ka konfirmuar të martën këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu, për mediat në Prishtinë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – do të zhvillojnë diskutime me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili paralajmëroi më herët për zhvillimin e takimit në dhjetor.
Megjithatë, nuk është ende e qartë se çfarë temash do të jenë në agjendën e takimit apo nëse kryenegociatorët do të zhvillojnë takime trepalëshe. Lajçaku ka përsëritur disa herë gjatë kësaj jave se fokusi do të jetë në dakordimin e arritur takimin e fundit. Një muaj ka kaluar prej takimit të fundit në nivel të kryenegociatorëve. Bislimi dhe Petkoviçi u takuan më 24 tetor në Bruksel për t’i vazhduar negociatat nën kujdesin e Lajçakut, por nuk ka pasur lëvizje konkrete në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër.
Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, kjo marrëveshje nuk është zbatuar akoma, dhe ka mbetur në hije për shkak të tensioneve. Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë. Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025.