MENU
klinika

Disa këshilla për ju!

Si të menaxhoni mirë një ambient toksik pune

10.11.2024 - 17:20

Toksiciteti në mjedisin e punës jo vetëm që është në rritje, por ndikon thellësisht në shëndetin mendor dhe performancën e punëtorëve.

Sipas hulumtimeve nga Universiteti Lund në Suedi, gjatë 20 viteve të fundit mjediset toksike të punës kanë kontribuar në një rritje të depresionit, dhunës psikologjike dhe problemeve të tjera shëndetësore. Një mjedis pune toksik është i pakëndshëm dhe i pashëndetshëm.

Përpara se të largoheni dhe të gjeni një punë tjetër (është e vetmja zgjidhje në disa raste), lexoni mënyrat e mëposhtme për t’u përballur me mjedisin toksik në punë.

Mos e toleroni sjelljen e keqe

Sado joshëse që mund të jetë ndonjëherë, kur një bashkëpunëtor fillon të bëjë komente negative për dikë tjetër ose ankohet për vlerësimet që po bëhen për dikë tjetër, përpiquni të qëndroni larg kësaj rruge. Përgjigjuni në mënyrë neutrale dhe ndryshoni temën e diskutimit.

Lëreni stresin e punës jashtë shtëpisë

Po, është shumë e vështirë. Të paktën përpiquni të mos e bëni çdo ditë dhe shumë shpesh. Është një gjë të thuash që sot ishe goxha e lodhur dhe ndoshta ke pasur tension, dhe tjetër gjë të ankohesh vazhdimisht se sa keq po kaloni apo sa shumë përgjegjësi keni.

Kërkoni kolegë pozitivë

Një element i domosdoshëm për një mendje të qetë është ekuilibri, ndaj përpiquni të mos rrëmbeheni vazhdimisht nga lodhja dhe stresi i punës. Për ta bërë këtë, filloni një aktivitet ose bëni një shëtitje. Gjeni ato aktivitete që do t’ju bëjnë të harroni.

Ndërtoni besim

Edhe nëse duket sikur të gjithë në zyrën tuaj janë toksikë, ka shumë mundësi që disa njerëz ndihen njësoj si ju. Nëse vëreni se një koleg i juaji ka të njëjtat vështirësi si ju, përpiquni t’i afroheni pa rënë megjithatë në grackën e thashethemeve.

Nëse e kuptoni që eprori juaj është personi që dëshiron të ketë kontroll absolut, atëherë përpiquni të mos “rezistoni” shumë. Gjeni detajet që ai kërkon, edhe nëse i keni diskutuar më parë. Tregoni dinamizëm dhe ndërtoni besim. Bëni atë që mundeni për t’u përshtatur me standardet e tij – jo për ta lënë veten mënjanë dhe për t’u bërë zëdhënës, por brenda kontekstit të mos kapërcimit të kufijve dhe vlerave tuaja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN