Opozita e Novi Sadit, e cila përbëhet nga të gjitha grupet e këshilltarëve opozitarë në kuvendin e qytetit, është e bashkuar në mbështetje të protestës civile që do të mbahet ditën e parë pas përfundimit të ditës së zisë, pra të martën, në 18:00 në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad. “Ne kërkojmë arrestimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm të të gjithë individëve, pakujdesia, papërgjegjësia dhe veprimet korruptive të të cilëve kanë rezultuar në humbjen e kaq shumë jetëve njerëzore, të cilat Novi Sadi nuk i kujtohet që nga bombardimi.” “Kërkojmë përgjegjësi politike, pra dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, ministrit të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç dhe kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriç”, thuhet në njoftim.
Opozita e Novi Sadit kërkon gjithashtu që të vihet në dispozicion të publikut kontrata e plotë me investitorin kinez, si dhe dokumentacioni që lidhet me të gjitha projektet që u deklaruan si të rëndësisë kombëtare, por që i fshiheshin publikut. Shkaku i shembjes së strehës prej betoni nuk dihet ende. Zyra e Prokurorit në Novi Sad ka intervistuar të shtunën 26 persona lidhur me rastin, përfshirë edhe ministrin Vesiq. Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.
Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”. Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është zotuar të premten se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.