Cilësia e dobët e arsimit të lartë, kurrikulat e vjetëruara dhe mospërputhja e tyre me tregun e punës janë disa nga arsyet e “largimit të trurit” nga Shqipëria.
Në këtë përfundim ka dalë edhe raporti i Bankës Botërore kushtuar arsimit të lartë, si një nga sektorët që ndikon në rritjen ekonomike të vendit. Drejtues të Bankës Botërore në Shqipëri rekomandojnë se vetëm kthimi i arsimit të lartë në prioritet do të mund ta ndryshonte situatën në vend: “Pavarësisht se në Shqipëri ka rritje të numrit të studentëve që marrin dije profesionale, sërish vihet re një disbalancë nga një degë në një degë tjetër studimi. Studentët duhet të jenë më të përgatitur për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës. Duke investuar në arsimin e lartë, në kurrikula, në infrastrukturë e shkencë do t’i sjellim universitetet më pranë tregut të punës”.
Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë të njëjtat problematika si Shqipëria në arsimin e lartë. Nga raporti rezulton se cilësia e tyre nuk arrin mesataren 9 nga 100 që është vlerësimi maksimal. Për shkak të nivelit të dobët, universitetet shqiptare dhe ato të rajonit nuk bëjnë pjesë në renditjen e 500 universiteteve më të mira në Europë dhe Azinë Qendrore.
Përjashtim nga vendet e Ballkanit bëjnë universitetet e Serbisë. Sipas Bankës Botërore, Serbia kryeson në rajon me 22,6 pikë, një mesatare e përafërt me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, drejtues të Ministrisë së Arsimit kanë renditur reformat që sipas tyre po ndërmerren për të ndryshuar arsimin e lartë në vend. Më herët, biznesi dhe ekspertë të arsimit kanë shprehur nevojën e përshtatjes së kurrikulave të Univeristeteve me tregun e punës, pasi aftësitë e të diplomuarve nuk janë në nivelet që kërkojnë punëdhënësit.
Ndërkohë, as në 2025 qeveria nuk do të përmbushë një nga premtimet e saj për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të prodhimit të brendshëm bruto. Arsimi nuk do të marrë më shumë se 2,36% të PBB, ku 18,4 miliardë lekë është buxheti për universitetet dhe vetëm 0,06% për kërkimin shkencor.