MENU
klinika

Assadi në “errësirën” e rezidencës sekrete në Moskë

Strategjia e Putinit për t’i dhënë azil politik ish-presidentit sirian!

13.12.2024 - 17:05

Bashar al-Assad, njeriu që sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada, ndodhet në Moskë, larg atdheut të tij nga i cili u largua pas marrjes në kontroll të Damaskut nga rebelët xhihadistë.

Arratisja e tij u bë në fshehtësi ekstreme, ku Rusia, konkretisht me vendim të Vladimir Putin, i dha azil politik.

Madje as vëllai i Assadit nuk ishte informuar për largimin e tij. Rusia, e cila luajti ndër vite një rol kyç në mbajtjen e Assadit në pushtet përmes ndërhyrjes ushtarake në 2015, pas rrëzimit të tij i ofroi një strehë të sigurt, duke siguruar që ai të mos binte në duart e rebelëve.

Zgjedhja e Moskës si destinacion nuk ishte e rastësishme. Rusia ka një histori të gjatë marrëdhëniesh me familjen Assad. Lidhjet e tyre datojnë që në vitet 1970, kur babai i tij, Hafez al-Assad, e futi Sirinë në sferën e ndikimit të Bashkimit Sovjetik.

Gjatë viteve që pasuan, kjo marrëdhënie u forcua, veçanërisht pas ndërhyrjes së Vladimir Putinit në luftën civile siriane.

Megjithatë, pavarësisht lidhjeve të forta midis dy shteteve, marrëdhënia personale e Assadit me Putinin ka mbetur e ftohtë dhe e mbushur me dyshime vitet e fundit.

Putin shpesh ka shprehur pakënaqësinë e tij për refuzimin e Assadit për të reformuar apo bashkëpunuar me opozitën e vendit.

Vendimi i Putinit për t’i ofruar strehim Asadit, pavarësisht dallimeve të tyre personale, duket se bazohet në arsye strategjike.

Udhëheqësi rus e sheh mbrojtjen e Assadit si një shenjë besnikërie ndaj aleatëve të tij dhe një sinjal për komunitetin ndërkombëtar se Rusia nuk po braktis partnerët e saj.
Përveç kësaj, Moska ofron kujdes mjekësor për gruan e Assadit, Asma , e cila vuan nga leuçemia.

Siç raporton Guardian , pavarësisht jetës luksoze që ka pasur në Siri, Assad dhe familja e tij pritet të jetojnë më të izoluar në Moskë.

Ndryshe nga videot që tregonin pallatet e tij të mbushura me makina dhe sende luksoze, jeta e tij në Rusi do të jetë mjaft e errët, nën vëzhgimin e ngushtë të autoriteteve ruse.

Ai besohet se ndodhet në një rezidencë të largët. The Guardian raporton se ndonëse i ndodhur në arrati, ka dyshime se Assad ka akses në pasurinë e tij që vlerësohet të jetë 2 mld dollarë.

E ardhmja e Assadit në Moskë është e pasigurt. Ndërsa i ofron mbrojtje të përkohshme, regjimi i Putinit gjithashtu përballet me sfida që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë të Assadit. Vetë ai duket se e ka pranuar izolimin e tij, pa mundësi rikthimi politik.

Shembulli i tij të kujton liderët e tjerë të mërguar, si Viktor Janukoviç i Ukrainës, i cili ka jetuar i izoluar në Moskë që nga përmbysja e tij në 2014.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Netanyahu dëshmon në gjyqin ndaj tij për korrupsion

Një pikë e ulët në karrierën e udhëheqësit më jetëgjatë të Izraelit