Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike do të dalin bashkë në zgjedhjet lokale të 2019. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e zyrtarizoi sot këtë fakt, madje duke zbuluar se po punojnë për të gjetur kandidatin fitues për bashkinë e Tiranës.
Por, shtoi Kryemadhi, “ajo që është më e rëndësishme është platforma jonë e përbashkët për t`iu dhënë zgjidhje uljes së taksave, të cilët janë çdo ditë e më shumë, ku po i marrin frymën shqiptarëve. Gjithashtu, uljen e varfërisë dhe ofrimin e një standardi dhe cilësie më të lartë të shërbimeve ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët meritojnë më shumë”.
Në takimin me strukturat e LSI së qytetit të Tiranës para nisjes së sesionit të ri parlamentar me 3 shtator, Kryemadhi tha se do të jenë edhe strukturat më mbështetëse përsa i përket aksionit politik.
Kryemadhi: Sot jemi mbledhur për të diskutuar dhe hartuar axhendën e punës së gjithë strukturave të LSI, ku Tirana do të ketë pjesën më të madhe të punës në përkrahje të grupit parlamentar. Strukturat e qytetit të Tiranës janë tashmë janë jo vetëm të konsoliduara, por edhe të rifreskuara dhe janë gati drejt aksionit politik me të rëndësishëm, i cili do të fillojë në muajin shtator në programin e punës së LSI-së. Ky moment është moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për strukturat tona por për të gjithë shqiptarët. Aksioni politik i grupit parlamentar me hapjen e sesionit të ri në shtator strukturat e LSI do të ketë një rëndësi të veçantë, por mbi të gjitha strukturat e Tiranës do jenë ato që do jenë mbështetëse kryesore të hapave të njëpasnjëshme që do vijnë më tej.
Po kështu, LGI do të hartojë planin e punës për çdo qendër votimi, ku së bashku me strukturat e LSI do të evidentojnë çdo socialist të zhgënjyer nga Rilindja dhe do bashkojnë forcat progresive me të gjitha strukturat dhe forumet e tjera politike dhe jo politike dhe gjithë faktorët e tjerë politik dhe jo politik në qendrat e votimit për të organizuar, për të ngritur jo vetëm strukturat por edhe për të ngritur barrikadat e protestës dhe të revoltës ndaj uzurpimit që Rilindja i ka bërë Tiranës. Ky koordinim do të zgjerojë bazën dhe do të zgjojë të gjithë ata qytetarë që sot paguajnë faturat më të shtrenjta të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, taksat e larta, shërbimet skandaloze, rritjen e çmimeve, rritjen e varfërisë, rritjen e pasigurisë dhe kriminalitetit në qytet.
Një detyrë përcaktoi edhe për Forumin Rinor të LSI-së.
Kryemadhi: LRI, e cila sot më shumë se kurrë është vetvetja ka një mision kombëtar përveç përballjes së saj me jeniçerët politik të kryeministrit të drogës që drejtojnë sot shkollat tona, duhet të komunikojmë me çdo nxënës me të 56 gjimnazet e Tiranës dhe me çdo student për të zgjuar atë ndjenjë proteste dhe jo nënshtrimi ndaj të rinjve dhe të rejave, për të rritur forcën dhe besimin tek vetja e tyre, që jo vetëm të përballojnë shantazhin e jeniçerëve të kryeministrit të drogës, por të avancojnë me forcë, të mos bëjnë kompromis të së ardhmes së tyre.
Çdo kërcënim që do vijë nga drejtorët apo drejtoreshat e shkollave ndaj të rinjve tanë dhe çdolloj përdorimi i forcës, notës apo presionit të vazhdimit të studimeve më tej ndaj tyre, të cilët ne i kemi dëgjuar rëndomë në zgjedhjet e kaluara, ku në shkëmbim të votës ofrohej e drejta e studimit dhe çdo përdorim i forcës së notës apo misionit të vazhdimit të studimeve më tej ndaj tyre, të cilët ne i kemi dëgjuar rëndom në zgjedhjet e kaluara, ku në shkëmbim të votës ofrohej e drejta e studimit.
Të jenë të bindur të gjithë ata drejtorë që nuk do të ketë më as sjellje të kulturuar, as tolerancë miqësore, politike apo njerëzore, por do të kenë përballje të pamëshirshme ndaj këtyre kriminelëve të cilët bëjnë Pazar me të ardhmen e të rinjve tanë. Prandaj, strukturat e rinisë të hapin sytë dhe të jenë vigjilentë ndaj çdo sulmi dhe presioni që bëhet jo vetëm ndaj të rinjve të LRI nëpër gjimnaze, por dhe ndaj çdo të riu tjetër edhe po të jetë i FRESSH apo çdo lloj forumi tjetër politik apo dhe jo politik ne do të jemi në krah të tyre për tu përballur ndaj këtyre njerëzve të cilët kanë shkatërruar dhe tjetërsuar arsimin tonë.
Kryemadhi theksoi se nuk ka tashmë asnjë iluzion që Rilindja nuk ishte asgjë tjetër vetëm rilindje e krimit dhe e diktaturës së drogës.
Kryemadhi: Sot ne kemi Shqipërinë të renditur si vendi i 1 në botë për përdorimin e kokainës. Sot kemi Shqipërinë si qendër të trafikut të drogës. Dhe kjo nuk vjen as si rezultat i deklaratave të opozitës, as si konstatimi opozitës, por vjen si konstatim I institucioneve ndërkombëtare të specializuara që merren me këtë gjë. Sot kemi një vend të uzurpuar nga banda dhe krimi, kemi një vend ku reforma në drejtësi është kthyer ne funksion të kryeministrit, ku dhe ky I fundit është në funksion të bandave dhe të krimit të organizuar. Ne kemi një Shqipëri që po shpopullohet nga dita në ditë, kemi një Shqipëri që po varfërohet nga dita në ditë, kemi një Shqipëri që po shkatërrohet nga dita në ditë, pra fantazmat e diktaturës komuniste janë kthyer në formën e bandave të krimit dhe të oligarkëve.