MENU
klinika

Takimi në Vjenë

Bushati: Dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet me marrëveshje reciproke

31.08.2018 - 14:49

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u shpreh sot se dialogu Kosovë-Serbi  ka nevojë të mbyllet me një marrëveshje që do të sillte më shumë stabilitetit në rajon.

Bushati ndodhet në Vjenë në takimin informal të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati vuri në dukje se, aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE nuk mundet të jenë të shkëputura nga vlerat dhe synimet që kërkon të arrijë politika e jashtme dhe e sigurisë e Bashkimit Evropian, mbi të gjitha, mbrojtja e një rendi botëror të bazuar mbi rregulla.

Bushati theksoi qëndrimin e vazhdueshëm dhe konsistent të Shqiperisë dhe linjëzimin e plotë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë me BE duke theksuar se kjo politikë i ka rrënjet në vlera dhe norma demokratike që vendet tona po përpiqen të brendësojnë. Ai tha se Ballkani Perëndimor ka fituar jo pak nga rendi multilateral dhe perspektiva euroatlantike dhe këto arritje duhen mbajtur dhe thelluar më tej.

Ndër të tjera, Ministri evidentoi progresin e konsiderueshëm që Shqipëria ka bërë kohët e fundit në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE si dhe fillimin tashmë të ‘screening’. Përsa i përket marrëdhënieve në rajon, Ministri Bushati i cilësoi si mjaft inkurajuese zhvillimet e fundit dhe kryesisht dialogun mes Maqedonisë dhe Greqisë, si edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është e rëndësishme të rishihet angazhimi i të dyja palëve dhe çfarë është arritur në këto procese, sidomos në fushat që lidhen me energjinë, konektivitetin, njohjen reciproke të diplomave, tarifat e roamingut, të cilat në një farë mënyre po e mbajnë ‘peng’ jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por tërë rajonin”, theksoi ai, duke inkurajuar vazhdimin e dialogut mes Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, MEPJ Bushati mori pjesë gjithashtu në pritjen e shtruar nga Presidenti Federal i Austrisë, Aleksandër Van der Belen.

Ministër, Çfarë mendoni për perspektivat e integrimin në BE të Shqipërisë?

Ministri Bushati: Mendoj se kemi bërë një progres të konsiderueshëm gjatë muajve të fundit dhe tani ka një horizont të qartë për Shqipërinë, por edhe për fqinjin tonë. Ka edhe një afat kohor. Kemi filluar procesin screening i cili do të na japë mundësi të medha për transformimin e institucioneve tona dhe për reformat. Pjesëmarrja në “formatin Gymnich” është gjithashtu një mundësi e mirë, sepse sot do të diskutojmë për efektet e multilateralizmit, si edhe për mjedisin e sigurisë në rajonin tonë duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit pas marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjet e tjera me peshë në rajonin tonë.

Çfarë mendoni për idenë e “shkëmbimit të territoreve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë..

Së pari është e rëndësishme të inkurajohet vijini i procesit të dialogut midis dy presidentëve. Është një proces shumë i dhimbshëm dhe delikat, i cili po lehtësohet nga BE dhe Përfaqesuesja e Lartë Mogherini. Është gjithashtu e rëndësishme të risihihet angazhimi i të dyja palëve dhe çfarë eshte arritur në këto procese sidomos në fushat që lidhen me energjinë, konektivitetin, njohjen reciproke të diplomave, tarifat e roamingut, të cilat në një farë mënyre po e mbajnë “peng” jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por tërë rajonin. Po aq e rëndësishme është të inkurajohet ky proces që me shpresë do të finalizohet me marrëveshje reciproke njohjeje dhe marrëveshje të detyrueshme ligjore që do të ofrojë më shumë stabilitet demokratik në gjithë rajonin tonë. Rikonfirmimi përmes këtij procesi i shtyllave kryesore të angazhimit dhe parimeve të familjes euroatlantike në rajonin tonë është gjithashtu i rëndësishëm.

Përgatiti M.H