MENU
klinika

Një verore para verës

“UNESCO pronëson ritualin”

17.03.2019 - 13:48

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Edhe në Shqipëri në fillim të marsit shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave, por edhe meshkujve, vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardhekuq. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe e heqin në datën 14, siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”.

Por, pakkush e di në Shqipëri, se ajo verore dyngjyrëshe është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.

Disa ditë më parë në një takim me ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, mësova se prej pak kohësh kjo verore ishte bërë pjesë e trashëgimisë botërore. Në 6 dhjetorin e vitit që kaloi, pas një vendimi të marrë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Jeju të Koresë së Jugut, verorja u pranua në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit.

Adrian Cioroanu, i dërguari i përhershëm i Rumanisë në UNESCO, më datën 6 dhjetor në faqen e tij në Facebook, cituar nga News.ro, shkruante: “Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO! Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë – në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë, por që ka të njëjtën frymë të festimit të rilindjes së natyrës”.

Mediat vendase njoftonin se të njëjtin lajm e ndau edhe Ionut Vulpescu, nga Ministria e Kulturës dhe Identitetit Kombëtar: “Në pranverë, më 1 mars mbajtëm një konferencë për shtyp ku folëm për fazën në të cilën ndodhej kjo dosje. Dy javë më vonë gjendesha në Paris krah ministres së kulturës së Republikës së Moldavisë, Monica Babuc, ku në kuadër të një aktiviteti të organizuar nga Ambasada e Rumanisë paraqitëm bashkë këtë dosje përpara Michael Worbsit, që është presidenti i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s dhe përpara anëtarëve të trupit diplomatik të akredituar në Paris. Jemi të gëzuar dhe të kënaqur se përpjekjet tona patën efekt”.

Ndërkohë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Moldavisë, Monica Babuc, lidhur me këtë lajm shkroi në rrjetin social: “Faleminderit dhjetor! Ke qenë bujar me ne në vitin 2016 kur e gjetëm qilimin në listën UNESCO dhe ja sot – veroren!”.

Sipas studimeve etnologjike, verorja është ngushtësisht e lidhur me traditat e Vitit të Ri festuar në të kaluarën në muajin mars, si një formë primitive e Vitit Agrar i lidhur me ciklet vegjetative dhe astronomike. Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual i një marsit, i pranishëm jo vetëm tek rumunët, por edhe tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan. Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive. Verorja është një objekt i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë gjithë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.

Por, cila është domethënia e kësaj veroreje?

Verorja është festa tradicionale e fillimit të pranverës. Fillimet e saj thuhet se vijnë nga Roma e vjetër, sepse Viti i Ri festohej pikërisht në datën 1 mars (Martius), që ishte muaji i perëndisë së luftës Mars. Në ngjyrat e verores ruhet dualiteti i simboleve: bardh dhe kuq, pra paqe dhe luftë (kjo do të mund të simbolizonte madje edhe dimrin dhe pranverën). Në ditët tona janë burrat që ju dhurojnë femrave këtë objekt, fatndjellës, të quajtur verore e që është një bizhuteri apo një dekorues i vogël, një lule, një kafshëz apo një zemër e lidhur me një pe të kuq dhe të bardhë.

Femrat e mbajnë në bluzë që atë ditë e deri dy javë më pas. Ato mund t’ia dhurojnë një femre tjetër dhe vetëm me raste të rralla, burrave. Megjithatë, dhurimi, qoftë edhe i një objekti të vogël të lidhur bashkë me këtë lidhëse bardh e kuq, është një zakon i vjetër që i është paracaktuar si grave dhe vajzave ashtu edhe burrave. Besohej se ai që mbante këtë lidhëse bardh e kuq do të ishte i fortë dhe i shëndetshëm për gjithë vitin që vjen.

Në disa pjesë të Rumanisë, si Moldavi apo Bukovinë, simboli i pranverës është një medalje e artë apo e argjendtë që mbahet rreth qafës. Edhe bullgarët kanë thuajse të njëjtën traditë identike me 1 marsin e quajtur Martenica. Origjina e traditës daton nga kohët e dakëve, stërgjyshërit e rumunëve. Më parë quhej “dachia dragobete” dhe nënkuptonte fundin e dimrit.

Në Moldavi zakoni është që janë vajzat ato që ju dhurojnë djemve verore. Bashkë me veroren shpesh dhurohen edhe lule që janë të kësaj stine, zakonisht zymbyla.

Arkeologët kanë zbuluar objekte me një vjetërsi prej mijëra vjetësh që mund të konsiderohen si verore. Ato kanë formën e gurëve të vegjël të ngjyrosur në bardh e kuq që mbaheshin si varëse në qafë. Të dyja ngjyrat janë të hapura ndaj interpretimeve: e kuqja mund të kuptohet si gjallëria e gruas, ndërsa e bardha si mençuria e burrit. Pra, kjo lidhëse e verores shpreh ndërthurjen e pandarë të këtyre dy parimeve.

Domethënia e perit të bardhë dhe të kuq që ndërthuren në një lidhëse, ku edhe varet një objekt, ka një kuptim të lidhur edhe me disa legjenda. Origjinat e festimit të verores nuk njihen saktësisht, por vlerësohet se janë shfaqur në kohën e Perandorisë Romake, kur Viti i Ri festohej në ditën e parë të pranverës në muajin e marsit. Ai nuk ishte vetëm perëndia i luftës, por edhe i pjellorisë dhe e vegjetacionit. Ky dualitet është ruajtur edhe në ngjyrat e verores ku e bardha pra nënkupton paqen dhe e kuqja – luftën.

Viti i Ri festohej në 1 mars deri në fillimin e shekullit XVIII. Të përmendur për herë të parë e gjejmë nga Iordache Golescu, ndërsa folkloristi Simion Florea Marian shkruan në librin “Festat tek rumunët” se: në Moldavi, Muntenia, Dobroxhea dhe në disa pjesë të Bukovinës ekzistonte zakoni që prindërit t’u lidhnin më 1 mars fëmijëve një monedhë argjendi apo ari në gushë apo në dorë. Monedha e lidhur me një lidhëse të kuqe, ose prej dy fijesh të gërshetuara të mëndafshta të kuqe dhe të bardhë, quhet verore. Verorja ju vihej në dorë apo në qafë fëmijëve që t’u sillte fat gjatë vitit, të ishin të pastër dhe të shëndetshëm.

Në disa zona fëmijët e mbanin 12 ditë në qafë dhe pastaj e lidhnin të dega e një peme të re. Nëse në atë vit pemës i shkonte mbarë, kjo nënkuptonte se edhe fëmijës do t’i ecte mirë në jetë.

Në disa raste lidhësja vendosej tek ndonjë pemë që ishte në lulëzim duke dhënë kuptimin se edhe fëmija do të jetë i bardhë dhe i pastër si lulet e këtyre pemëve.

Folkoristi Simion Florea Marian shkruante se kush dëshironte që verorja të kishte efektin e dëshiruar, duhej ta mbante me dinjitet. Aktualisht verorja mbahet gjithë muajit mars dhe më tej lidhet te një pemë frutore. Besohet se kështu ajo ju sjell mbarësi familjeve. Thuhet se nëse dikush shpreh një dëshirë kur e hedh këtë verore mbi një pemë, ajo dëshirë i plotësohet.

Në fillim të muajit prill, në një pjesë të madhe të fshatrave të Rumanisë dhe Moldavisë pemët janë të zbukuruara me verore. Në Transilvani veroret vendosen te dera, te dritarja, të brirët e kafshëve shtëpiake, sepse kështu besohet se ato trembin të keqen.

Veroja është një traditë në Rumani, në Republikën e Moldavisë dhe territoret fqinjë të populluara nga rumunët dhe arumunët. Tradita të ngjashme i gjen edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari. Në ditët tona vlera e një veroreje jepet si një krijim artistik.

Objekti i lidhëses kuq e bardhë mund të bëhet nga çdo gjë dhe mund të marrë kuptime të ndryshme. Verorja më e vjetër e zbuluar në Rumani është 137 vjet. Verorja më e vjetër në Rumani daton në vitin 1879 dhe ka formën e një zemre argjendi. Midis veroreve të koleksionit gjendet edhe një tjetër që daton në vitin 1898 që ka formën e një dallëndysheje që fluturon. Ky objekt ishte pjesë e një koleksioni dhe para pesë vitesh u vlerësua me 300 lei.

“Këto objekte janë shumë të rralla, duhet t’i kërkosh vite të tëra. Dallëndyshja në fluturim është e vetme. Nuk e di kujt e kujt ka qenë dhe as nuk kam ndërmend të thur ndonjë histori fantastike për të. Unë e kam nga një koleksionist”, ka thënë Iustin Zegrea që është një koleksionist antikuaresh nga Bukureshti.

Gjatë kohës geto-dake, Viti i Ri niste në 1 mars. Marsi ishte muaji i parë i vitit, ndërsa kalendari popullor i geto-dakëve kishte dy stinë: verë dhe dimër. Verorja ishte si një lloj talismani që kishte për qëllim të sillte fat, i ofruar bashkë me urimet për mirësi, shëndet, dashuri dhe gëzime. Lidhësja me dy ngjyra kishte dhe kuptimin e unitetit të të kundërtave: vera-dimri, ngrohtë-ftohtë, pjellori-sterilitet, dritë-errësirë. Lidhësja ose lidhej në dorë, ose vendosej në gjoks. Ajo vendosej në 1 mars derisa shfaqeshin shenjat e ardhjes së pranverës: dëgjohej ndonjë zog duke kënduar, lulëzonin qershitë, vinin dallëndyshet. Atëherë lidhësja lidhej ose pas një trëndafili ose tek ndonjë pemë në lulëzim, që të sjell fat ose hidhej në atë drejtim nga ku vinin zogjtë udhëtarë duke pëshpëritur: “Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi!”.

Duke u kthyer në vendin tonë, kjo traditë gjendet tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars. Tek arumunët në Shqipëri kjo është festa më e madhe që ka pranvera. Shumë fëmijë e presin me gëzim dhe bëhen gati për ta vendosur veroren që një natë më parë.

Kjo festë është përcjellë brez pas brezi dhe gëzimi për të shprehet hapur dhe lirshëm. Kjo duket edhe në mënyrën sesi e vendosin veroren dukshëm, pra duke mos e mbuluar me veshje.

Një veçori e këtij rituali tek arumunët në Shqipëri lidhet me vendosjen e më shumë se një veroreje dhe jo vetëm në dorë, por edhe në qafë apo në kyçet e këmbëve. 1 marsi në traditën e arumunëve në Shqipëri, ndoshta edhe si një vijimësi lidhjeje me Rumaninë, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, te dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithkush sapo të zgjohet, të ndjejë ardhjen e pranverës.

 

Nga: Entela Binjaku

 

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!

Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Nis Panairi i Librit 2024

Puna dhe veprat që ai i la pas shoqërisë shqiptare

37 vite nga ikja e Lasgush Poradecit!